75 Mall Live Search
12:58 / E Enjte, 12 Qershor 2025 / MSH

26 vjet KFOR, Barduani bën homazhe për misionin më të madh të NATO-s

Komandanti i misionit KFOR, gjeneralmajor Enrico Barduani, kryesoi sot ceremoninë përkujtimore që shënoi 26-vjetorin e themelimit të KFOR-it, të mbajtur në kampin “Film City”, në Prishtinë.

Ceremonia, në të cilën morën pjesë personel nga të 33 vendet kontribuese me trupa, filloi me vendosjen e një kurore dafine në monumentin e të rënëve.

Gjenerali Barduani bëri homazhe për 220 anëtarët e shërbimit që humbën jetën që nga viti 1999, duke deklaruar: “Shembulli i tyre duhet të frymëzojë detyrat tona të përditshme në përmbushjen e misionit tonë.”

“Si misioni më jetëgjatë dhe aktualisht më i madhi në historinë e NATO-s, KFOR-i qëndron si një dëshmi e angazhimit të qëndrueshëm dhe të prekshëm të Aleancës…, dhe përpjekjet e tij mbeten themelore në mbështetjen e progresit të nevojshëm politik drejt stabilitetit afatgjatë në rajon”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.

KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.