Dënohet me 1 vit e 5 muaj burgim personi që sulmoi kameramanin

Gjykata Themelore në Mitrovicë, Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni Penal, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të pandehurit I.M., shtetas i Republikës së Kosovës, i cili akuzohej për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor” sipas nenit 185 paragrafi 1, nënparagrafi 1.4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), në bashkëkryerje me një person tjetër të paidentifikuar.
Sipas aktgjykimit, i pandehuri u shpall fajtor për sulmin e ndodhur më 17 nëntor 2022, në rrugën “H. D. (V.C)” në Mitrovicën e Veriut, ku në bashkëkryerje me N.N. persona kishte sulmuar fizikisht kameramanin e portalit “Insajderi”, J.M., duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore. Sulmi kishte ndodhur teksa i dëmtuari po filmonte një ngjarje pranë urës së Ibrit, ku kishte parë disa fëmijë që kërkonin ndihmë nga pjesëtarët e KFOR-it italian. Derisa po incizonte situatën me telefonin e tij, ai ishte sulmuar nga i pandehuri I.M., i cili e kishte goditur pas koke dhe kishte tentuar t’ia merrte telefonin, por pa sukses.
Sipas ekspertizës mjekoligjore, lëndimet e shkaktuara ndaj të dëmtuarit janë klasifikuar si lëndime të lehta trupore me ndikim të përkohshëm në shëndetin e tij.
Gjykata ka shqiptuar dënim me 1 vit e 5 muaj burgim për të pandehurin I.M., i cili do të fillojë së ekzekutuari brenda 15 ditësh nga dita kur aktgjykimi bëhet i plotfuqishëm.
Palët kanë të drejtë ankese ndaj këtij aktgjykimi brenda afatit prej 30 ditësh, duke iu drejtuar Gjykatës së Apelit përmes Gjykatës Themelore në Mitrovicë.