Irani kundërpërgjigjet me sulme/ Macron: Kaosi duhet të marrë fund

Presidenti francez, Emmanuel Macron bëri thirrje për një rikthim te diplomacia për t’i dhënë fund asaj që e quajti “spirale e kaosit” në një postim në X.
“U bëj thirrje të gjitha palëve të ushtrojnë vetëpërmbajtjen maksimale, të ulin tensionet dhe të kthehen në tryezën e negociatave. Kjo spirale kaosi duhet të marrë fund”, shkroi Macron.
Përpara postimit të Macron në X, Ministri i Jashtëm Jean-Noel Barrot i tha televizionit France 2 se sulmet me raketa, të cilat nuk kishin shkaktuar viktima, ishin një “përshkallëzim i rrezikshëm” dhe u bëri thirrje të gjitha palëve të tregojnë përmbajtje.
Pentagoni ka konfirmuar se baza amerikane ajrore Al Udeid në Katar është sulmuar nga raketa balistike me rreze të shkurtër dhe mesme, të nisura nga Irani.
Sulmi duket se është kundërpërgjigje pas sulmeve ajrore amerikane kundër tri objekteve bërthamore të Iranit – Fordo, Natanz dhe Isfahan më 22 qershor.
Sulmet e SHBA-së në Iran pasuan sulmin e befasishëm të Izraelit ndaj qendrave bërthamore dhe ushtarake të Iranit më 13 qershor.