75 Mall Live Search
22:19 / E Hënë, 23 Qershor 2025 / Burim

Trump për sulmet ndaj bazave amerikane: Reagimi i dobët i Iranit, jam i kënaqur që asnjë amerikan s’u lëndua

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka reaguar në rrjetet sociale pas sulmeve me raketa të Iranit ndaj një baze ushtarake amerikane në Katar, duke i quajtur ato një “reagim shumë të dobët” dhe të pritur nga SHBA.

“Nga 14 raketa të lëshuara, 13 u rrëzuan, ndërsa 1 u la e lirë, pasi po shkonte në një drejtim që nuk përbënte kërcënim,” shkroi Trump.

Ai theksoi se nuk pati asnjë viktimë apo të lënduar mes amerikanëve. “Jam i lumtur të raportoj se ASNJË amerikan nuk është lënduar dhe është shkaktuar shumë pak dëmtim.”

Trump shtoi se “më e rëndësishmja, duket se ata e kanë nxjerrë të gjithë inatin nga sistemi i tyre dhe, shpresojmë, nuk do të ketë më URREJTJE.”

Ai falënderoi gjithashtu Iranin për njoftimin e hershëm të sulmit, që sipas tij “e bëri të mundur që të mos humbasë asnjë jetë.”

“Ndoshta Irani tani mund të ecë përpara drejt Paqes dhe Harmonisë në Rajon, dhe unë do ta inkurajoj me entuziazëm Izraelin të bëjë të njëjtën gjë,” përfundoi Trump.