75 Mall Live Search
16:15 / E Mërkurë, 25 Qershor 2025 / Z S

Kërkoi që të përcellte nga brenda seancën e Kuvendit, kjo është përgjigja që mori avokati Koci

Avokati Arianit Koci disa ditë më parë kishte kërkuar nga Drejtoria për media dhe marrëdhënie me publikun e Kuvendit që ti mundësohet pjesëmarrja në seancën e Kuvendit.

Mirëpo sot gjatë ditës në një përgjigje të cilën e ka publikuar vetë avokati, është bërë e ditur se atij do ti mundësohet përcjellja e seancës vetëm ateherë kur Kuvendi të konstituohet.

Postimi i plotë:

Si qytetar i këtij vendi, para një jave iu drejtova Kuvendit të Republikës së Kosovës me një kërkesë.

Më poshtë e keni përgjigjen e Kuvendit, të panënshkruar, dhe reagimin tim.

I nderuar z. Koci,

Seancën konstituive të Kuvendit janë të ftuar nga Kryesuesi ta përcjellin përfaqësuesit e korit diplomatik, përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe ndërkombëtare, mysafirë të posaçëm (përfaqësues të familjeve emblematike).

Sipas Rregullores për rendin dhe qasjen e mediave dhe të publikut në punën e Kuvendit (Kreu II, Rregulla 3), prezenca e qytetarëve në galerinë e sallës, ndërkaq, parashihet vetëm në rastet e mbajtjes së seancave plenare të Kuvendit.

Prandaj, në përgjigje të kërkesës suaj, në përputhje me rregulloren, si dhe në koordinim me kryesuesin e seancës konstituive dhe Zyrën e Sekretarit të Kuvendit, duke kërkuar mirëkuptimin tuaj ju njoftojmë se përcjellja e seancës do të jetë e mundur pas përfundimit të seancës konstituive (konstituimit të Kuvendit), përkatësisht pasi të fillojë mbajtja e seancave të rregullta plenare.

Me respekt,

Drejtoria për media dhe marrëdhënie me publikun

Kuvendi i Republikës së Kosovës

+383 38 211 186            

ëëë.kuvendikosoves.org

https://ëëë.facebook.com/kuvendi.skupstina

 Komenti i im!

Të nderuar,

Nuk është aspak në rregull që të më dërgohet një përgjigje nga Kuvendi i Republikës së Kosovës – pa u nënshkruar nga asnjë person individualisht.

Përgjegjësia institucionale nuk është anonime.

Në anën tjetër, e kuptoj që ka rregullore!

Por problemi nuk është rregullorja – është fakti që shteti po shkatërrohet, populli po varfërohet, e Kuvendi nuk po arrin të konstituohet tash e 37 herë me radhë.

Kjo është lojë me popullin!

Sidoqoftë, besoj që e keni kuptuar: nuk jam qytetar që po kërkon ftesë për ndonjë ceremoni festive.

Jam Arianit Koci – dhe po protestoj përballë institucionit më të rëndësishëm në shtetin tonë, e që nuk funksionon.

Po protestoj sepse jemi në krizë të thellë kushtetuese, institucionale dhe morale.

Po protestoj sepse përfaqësuesit që janë zgjedhur me votë, nuk po e kryejnë detyrën për të cilën janë zgjedhur.

Dhe meqë jemi te “mysafirët e posaçëm”: a nuk ka asnjë vend të rezervuar për ndonjë qytetar që përfaqëson zërin e popullit?

Apo janë të ftuar vetëm ata që i konvenojnë protokollit?./Indeksonline/