Policia e Malishevës gjobit me 500 € një zjarrvënës, apel për ndaljen e djegieve në hapësira publike

Stacioni Policor në Malishevë ka intensifikuar patrullimet dhe masat parandaluese për djegiet e paligjshme që ndotin ajrin dhe rrisin rrezikun e zjarreve.
Më 25 qershor 2025, në një zonë të banuar të Komunës së Malishevës, policia identifikoi një person që kishte ndezur zjarr në hapësirë publike. Bazuar në nenin 49, paragrafin 1.7.9 të Ligjit nr. 08/L-071 për kundërvajtjet kundër rendit publik, ndaj tij u shqiptua gjobë prej 500 eurosh.
Policia rikujton se djegia e mbeturinave dhe materialeve të tjera është e ndaluar me ligj, sidomos gjatë verës kur rreziku për përhapjen e flakëve është i lartë. Qytetarët ftohen të shmangin çdo lloj djegieje dhe të raportojnë menjëherë rastet e dyshimta në numrin 192 ose tek autoritetet lokale.
Bashkëpunimi i qytetarëve mbetet thelbësor për mbrojtjen e mjedisit dhe sigurinë e komunitetit.