E goditi për vdekje 26- vjeçaren nga Peja, kjo është kërkesa e avokatit të familjes Gjevukaj ndaj policit që pranoi fajësinë

Po mbahet seanca e shqyrtimit fillestar në Gjykatën Themelore në Pejë ndaj zyrtarit policor Argjend Kastrati, i cili akuzohet për shkaktimin e aksidentit me pasojë vdekjen e 26-vjeçares Zana Gjevukaj.
Seanca po vazhdon, ndërsa Kastrati ka pranuar fajësinë para trupit gjykues, ndërkohë që avokati i familjes së viktimës, Milot Neziraj, ka parashtruar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit.
Avokati Neziraj theksoi se për një rast me pasoja kaq të rënda, masa e arrestit shtëpiak është e papërshtatshme dhe nuk siguron ndjeshmërinë e nevojshme ndaj familjes së viktimës.
Avokati i familjes Gjevukaj, Milot Neziraj, i propozoi gjykatës të marrë në trajtim edhe rrethana të tjera, si shkaktimin e aksidentit në pjesë të rrugës së shenjuar si vendkalim për këmbësorë, paralajmërimin e shenjave të kufizimin e shpejtësisë, tejkalimi i shpejtësisë, që është në nivelin e gjysmës së shpejtësisë së lejuar në atë zonë, dukshmërinë e mirë, dhe faktin se nuk ka pasur pëngesa që mund të kenë penguar të pandehurin të ndalojë.
Aktakuza ndaj Kastratit u ngrit, më 11 qershor.
Ai akuzohet për veprën penale: “Rrezikim i trafikut publik”.
Tutje, gjatë seancës, prokurorja Arlinda Nallbani-Gacaferri prezantoi aktakuzën, ndërsa Kastrati u deklarua fajtor.
“Unë e ndjej veten fajtor dhe shpreh pëndesë për rastin. Dua t’i kërkoj falje dhe ngushëllime familjarëve të të pandehures dhe të gjithë personave që janë prekur nga ky rast. Më mirë të kisha qenë unë në vend të saj sot. Shpreh keqardhje shumë të madhe”, deklaroi Kastrati.