Përpjekja për zhbllokimin e Kuvendit, nis takimi Osmani-Abdixhiku

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka nisur takimin me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun, në kuadër të përpjekjeve për zhbllokimin e Kuvendit të Kosovës, transmeton IndeksOnline.
Ky takim vjen menjëherë pas atyre që Osmani zhvilloi me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, dhe me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi.
Takimet po mbahen pas publikimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila ka vendosur që Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditësh. Megjithatë, partitë politike nuk kanë arritur ende një marrëveshje për të zgjidhur ngërçin institucional.
Kuvendi i Kosovës është mbledhur plot 40 herë, por ende nuk është zgjedhur kryetari, çka e ka lënë procesin parlamentar në bllokadë.
Presidentja po përpiqet të ndërmjetësojë një konsensus mes partive për të përmbushur afatin kushtetues dhe për të rikthyer funksionalitetin e institucioneve./IndeksOnline/