75 Mall Live Search
10:49 / E Enjte, 03 Korrik 2025 / FR

KQZ: Nis periudha për kundërshtimin e pasaktësive në listën e votuesve për zgjedhjet lokale

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se më 3 korrik 2025 ka filluar periudha për kundërshtimin e pasaktësive në listën preliminare të votuesve për zgjedhjet lokale për kryetarë të komunave dhe për kuvende komunale, e cila do të përfundojë, më 31 gusht 2025.

Gjatë kësaj periudhe 60-ditore, çdo person me të drejtë vote që nuk figuron në listën votuese, është caktuar gabimisht në qendër tjetër të votimit apo ka të dhëna të tjera të pasakta, mund të kërkojë nga KQZ-ja rishikimin e saj:

·     përmes platformës elekronike: https://qv.kqz-ks.org, ose

·     duke u paraqitur në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në komunën përkatëse.

“Po ashtu, gjatë kësaj periudhe votuesi mund ta kundërshtojë pasaktësinë e listës preliminare të votuese edhe për ndonjë emër të votuesit për të cilin pretendon se nuk duhet të figurojë në këtë listë, përfshirë edhe rastet kur në këtë listë figuron emri i ndonjë personi të vdekur.

Në këtë rast, ankesa duhet të parashtrohet në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Për të kundërshtuar pasaktësitë për listën preliminare të votuesve, votuesi duhet të indentifikohet me njërin nga tri dokumentet: Letërnjoftimin e vlefshëm; pasportën e vlefshme; lejen e shoferit të vlefshme”, thuhet në njoftim./IndeksOnline/