16:29 / E Diele, 04 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Abelard Tahiri tregon ‘formulën’ si duhet të rregullohen të drejtat pronësore në Kosovë

Kalimi në sisteme të ndryshme politike, ka bërë që shteti i Kosovës të ketë paqartësi të mëdha në sistemin pronësoro-juridik. Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri udhëheq Komitetin Drejtues për zbatimin e Strategjisë Kombëtare për të Drejtat e Pronësisë, dhe në këtë intervistë për “Indeksonline” tregon për mënyrën sesi do të rregullohet njëra prej fushave me të rëndësishme të sundimit të ligjit në Kosovë.

Pyetje: Çka synohet të rregullohet me Strategjinë Kombëtare për të Drejtat Pronësore?

Tahiri: Rritja e sigurisë juridike të pronësisë, si kusht themelor për zhvillim edhe me të hovshëm ekonomik, është njëri prej qëllimeve kryesore të kësaj Strategjie. Mbrojtja e të drejtave pronësore do të thotë që individi korr shpërblimet nga djersa e tij. Pa pronën private të sigurt, stimujt që e bëjnë ekonominë tonë konkurruese në rajon nuk do të arrijnë të zhvillohen plotësisht, pasi prona ndikon tek prodhuesit, eksportuesit e importuesit.

Synojmë që zbatimi i Strategjisë të sjell zgjidhje për problemet pronësore të qytetarëve të Republikës së Kosovës, duke rregulluar kështu pronësinë publike dhe çështjet e qiradhënies afatgjate të pronës, informalitetin dhe vonesat në bartjen e pronësisë me rastin e trashëgimisë, të drejtat pronësore të grave, të drejtat pronësore të komuniteteve jo shumicë dhe të drejtat e shtetasve të huaj që të kenë pronë në Republikën e Kosovës. Pra, me këtë strategji do të rishikohet e tërë korniza ligjore që ndërlidhet me pronësinë. Kalimi nëpër sisteme të ndryshme politike të Republikës së Kosovës, ka bërë që të kemi aktualisht paqartësi të mëdha në sistemin pronësoro-juridik. Megjithatë, sundimi i ligjit nuk mund të arrihet nëse nuk forcohet sistemi edhe në këtë sektor.

Pyetje: Ju përmendët që më këtë Strategji synohet edhe rritja e pronësisë tek gratë. Ka përparime në këtë aspekt, kur dihet se shumë pak prej tyre arrijnë të trashëgojnë pronë Republika e Kosovës Republika Kosova-Republic of Kosovo Qeveria –Vlada-Government Ministria e Drejtësisë – Ministarstvo Pravde – Ministry of Justice nga familja?

Tahiri: Vetëm 4 për qind e grave trashëgojnë tokë në Kosovë. Kjo shifër është shumë shqetësuese. Në këtë fushë, ka shumë ligje që ende nuk janë të harmonizuara me njëra-tjetrën. Gjersa Ligji mbi familjen i njeh bashkësitë jo-martesore menjëherë pasi të kenë ndodhur, Ligji për trashëgimin nuk i trajton ato si të barabartë me martesën e regjistruar, pasi që parasheh kufizime sa i përket realizimit të të drejtave pronësore të çiftit që jeton në bashkësi jashtëmartesore. Ligji mbi trashëgiminë duhet të harmonizohet dhe sigurisht që duhet shqyrtuar edhe mundësinë ligjore për regjistrimin e bashkëjetesës midis palëve të cilat nuk dëshirojnë të martohen.

Pavarësia ekonomike është e rëndësishme në realizimin e një shteti të së drejtës, ku gruaja është e barabartë.

Ne kemi dërguar në Kuvendin e Republikës së Kosovës pakon e ligjeve që rregullojnë fushën e trashëgimisë pronësore, e që ndërlidhen direkt me fuqizimin e këtyre të drejtave, andaj besoj se së shpejti do të kemi ligje që në mënyrë substanciale avancojnë të drejtat pronësore të grave në Kosovë. Do të kujdesemi që këto ligje të zbatohen në përpikëri dhe efektet në teren të jenë të prekshme nga qytetarët. Konkretisht, do të angazhohemi që procesi i regjistrimit të pronës së grave të jetë jo diskriminues, qasja në trashëgimi të jetë e lehtë dhe që i gjithë procesi të jetë transparent.

Në këtë kuadër, duhet të sigurohemi që secili që dëshiron të heqë dorë nga trashëgimia, duhet të bëjë deklaratë me shkrim në një seancë të veçantë para gjykatësit apo noterit. Është esenciale që gjatë seancës, dhe para se ta marrin vendimin përfundimtar, gratë të njoftohen plotësisht mbi të drejtat e tyre dhe vlerën e pjesës trashëgimore që ju takon e për të cilën ato dëshirojnë të heqin dorë.

Pyetje: A besonin se zbatimi i kësaj strategjie do të ketë efekt pozitiv në zhvillimin ekonomik të vendit?

Tahiri: Zhvillimi ekonomik është drejtpërdrejtë i ndërlidhur me sigurimin e pronësisë, dhe është parakusht për avancimin e vlerave të mirëfillta shoqërore në vend. Nuk mund të ketë zhvillim të qëndrueshëm nëse nuk sigurojmë qarkullim të lehtë dhe të lirë të pronësisë, dhe siguri e qasje të lirë në pronësi.

Hartimi i strategjisë është realizuar me përkrahjen e ngushtë të partnerëve ndërkombëtarë, në veçanti nga USAID përmes Programit për të Drejtat Pronësore, dhe në analizat dhe hulumtimet që janë realizuar gjatë procesit të hartimit të strategjisë kanë konkluduar për një ndërlidhje të ngushtë mes zhvillimit ekonomik si rezultat i shfrytëzimit efikas të pronave. Një pjesë e madhe e popullsisë nuk ka fare qasje në pronësi për shkak të praktikave tradicionale të ndarjes së trashëgimisë apo dhe për arsye tjera që kanë të bëjnë me kontekstin historik të zhvillimit tonë shoqëror.

Po ashtu, adresimi i informalitetit në sektorin e pronave është një aspekt tjetër mjaft i rëndësishëm në këtë proces dhe ka të bëjë me mos-formalizmin e transaksioneve pronësore si nga shitblerja apo nga procesi i trashëgimisë. Qasja e kufizuar në sistemin e drejtësisë, dhe mosbesimi në institucione si rezultat i ndërrimit të sistemeve të ndryshme në të cilat ka kaluar populli ynë në të kaluarën, kanë ndikuar për një praktikë të mos regjistrimit të pronës pas transaksioneve në mes të familjarëve, si për pronën e trashëguar apo edhe në rastet e shitblerjes.

Nuk mund të ketë zhvillim të qëndrueshëm ekonomik nëse pronësia nuk është pjesë integrale edhe formalisht me sistemin e drejtësisë dhe atë financiar. Kjo mund të bëhet vetëm nëse pronësia dihet saktë e kujt është dhe si është përfituar dhe se titullari ka mundësi ligjore dhe praktike të disponoj me pronën dhe ta vejë atë në qarkullim juridik./Indeksonline/