75 Mall Live Search
19:44 / E Enjte, 03 Korrik 2025 / H F

Vdes aktori i famshëm amerikan (Foto)

Aktori i njohur amerikan Michael Madsen, i cili u bë i famshëm për rolet e tij në filmat “Kill Bill”, “Reservoir Dogs” dhe “Donnie Brasco”, është ndarë nga jeta në moshën 67-vjeçare.

Ai u gjet pa shenja jete në shtëpinë e tij në Malibu, të enjten në mëngjes. Autoritetet konfirmuan për TMZ se aktori u shpall i vdekur në vendngjarje. Shkaku i vdekjes mbetet ende i paqartë, por burime të afërta me hetimin thonë se po trajtohet si vdekje nga shkaqe natyrale, shkruan TMZ, transmeton IndeksOnline.

Përfaqësuesit e Madsen kanë deklaruar se ai ishte aktiv me projekte të reja filmike dhe kishte në plan të publikonte një libër të ri me poezi, “Tears For My Father: Outlaw Thoughts and Poems”.

Madsen do të kujtohet si një nga figurat më ikonike të Hollywood-it, me role të paharrueshme edhe në filma si “Thelma & Louise”, “The Hateful Eight” dhe “Once Upon a Time in Hollywood”.