75 Mall Live Search
21:24 / E Enjte, 03 Korrik 2025 / Burim

Plagosje me armë zjarri në Durrës, një 35-vjeçar përfundon në spital

Një plagosje me armë zjarri ka ndodhur pasditen e sotme në Shkafane të Ishmit, ku një 35-vjeçar ka mbetur i plagosur.

Sipas burimeve policore, i riu ka marrë një plagë në këmbë dhe është dërguar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Durrësit ku bluzat e bardha konfirmojnë se ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe po merr trajtimin e nevojshëm mjekësor.

Paraprakisht dyshohet se plagosja ka ndodhur pas një konflikti të çastit, për motive të dobëta.

“Durrës / U konfliktuan për motive të dobëta dhe gjatë konfliktit plagosën me armë zjarri një 35-vjeçar, Policia identifikon dhe shpall në kërkim dy shtetas.

Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje për kapjen e dy autorëve të dyshuar.

Rreth orës 17:45, në Shkafanë, dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, shtetasi A. D., 35 vjeç, ka plagosur me armë zjarri (pistoletë) shtetasin M. J., 35 vjeç, i cili ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Shërbimet e Policisë, sapo kanë marrë njoftimin, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe, falë veprimeve të shpejta, kanë identifikuar autorin dhe bashkëpunëtorin e tij, shtetasin R. A., dhe janë vënë në ndjekje të tyre”, njofton policia.

Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.