Bislimi pret në një takim deputetët britanikë, diskutojnë për thellimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe infrastrukturës

Zëvendëskryeministri i parë në detyrë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, priti në një takim deputetët britanikë Martin Vickers dhe Paul Foster.
Në njoftimin për media thuhet se në këtë takim biseduan mbi marrëdhëniet e fuqishme mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar dhe mundësitë për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit me theks në siguri, mbrojtje dhe infrastrukturë.
“Zëvendëskryeministri Bislimi i njoftoi deputetët britanikë mbi zhvillimin ekonomik të vendit përgjatë mandatit qeveritar përfshirë edhe avancimin e sektorit të IT-së dhe sukseseve të sipërmarrësve të rinj, gjersa Kosova shënon rritjen mesatare më të madhe ekonomike në rajon në vitet e fundit”, thuhet në njoftim.
Zëvendëskryeministri Bislimi i falënderoi deputetët britanikë Martin Vickers dhe Paul Foster për kontributin dhe angazhimin e tyre të vazhdueshëm ndër vite për Republikën e Kosovës.