UBT-ja promovon ekosistemin e parë të plotë me inteligjencë artificiale në Evropë, Kosovën e vendos në hartën globale të inovacionit

UBT-ja ka lansuar zyrtarisht ekosistemin e parë plotësisht të mbështetur nga inteligjenca artificiale në Evropë, duke shënuar një moment historik për zhvillimin teknologjik dhe arsimor në rajon dhe më gjerë.
Rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi, tha se ky ekosistem inovativ është ndërtuar për të integruar të gjitha funksionet akademike, kërkimore, administrative dhe shërbimet ndaj studentëve në një platformë të vetme, të menaxhuar dhe të optimizuar nga inteligjenca artificiale.
Ai tha se kjo platformë u mundëson përdoruesve një përvojë të personalizuar, vendimmarrje të bazuar në të dhëna, automatizim të proceseve dhe qasje të menjëhershme në burime të avancuara digjitale.
Hajrizi shtoi se përmes këtij ekosistemi, që vendos përdorimin në tërësi të inteligjencës artificiale, të gjithë përdoruesit do të përgatiten në të gjitha fushat, sikurse edukimi, zhvillimi, ndërmarrësia, trajnimet, mentorimi, aftësimi dhe riaftësimi, inovacioni dhe digjitalizimi.
“Me këtë që po e prezantojmë së pari në nivel të Kosovës, gjenerojmë një pozicionim shumë të rëndësishëm që Kosovën e vendos në hartat globale të vendeve më inovative dhe proaktive në high-tech, në aspektin global.
Konfirmoj me përgjegjësi të plotë se kjo është duke ndodhur për herë të parë në Evropë – s’po themi në gjithë botën – por për Evropën mendoj se jemi pionierë të një gurthemeli të tillë. Është më se e qartë që Kosova do të ketë një imazh shumë më ndryshe edhe në të ardhmen. Një pikë tjetër që është prioritet kryesor është mundësia për të rinjtë, që të kenë një edukim global. Mbi bazën e kësaj, kemi arritur që të marrim çmime më të larta në botë. Kemi arritur që të jemi në top pesë institucionet më të mira në botë”, tha ai.
UBT-ja, si institucion me përvojë të gjatë në zhvillimin e teknologjive të avancuara, synon që këtë platformë ta bëjë të qasshme për partnerë të ndryshëm institucionalë, duke ndihmuar në rritjen e efikasitetit, transparencës dhe inovacionit në sektorë të ndryshëm./Indeksonline/