Ferizaj: Hetim ndaj një shtetasi maqedonas, dyshohet se raportoi rrejshëm vjedhjen e një veture 130 mijë euro

Policia në Ferizaj ka nisur hetimet ndaj një 55-vjeçari, shtetas i Maqedonisë së Veriut me banim në Gjermani, nën dyshimin për kallëzim të rremë.
Më 2 korrik 2025, rreth orës 20:45, personi me inicialet R.E. ka raportuar në stacionin policor të Ferizajt se vetura e tij luksoze, një Audi Q8 me targa gjermane dhe vlerë të raportuar prej 130,000 euro, ishte vjedhur.
Pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore dhe shqyrtimit të kamerave të sigurisë në zonën ku ai pretendonte se kishte ndodhur vjedhja, hetuesit kanë konstatuar se vetura nuk ka qenë fare në atë vend dhe se ankuesi nuk e kishte sjellë fare atë në Kosovë.
Bazuar në këto të dhëna, është ngritur dyshimi i arsyeshëm se bëhet fjalë për një kallëzim të rremë me qëllim mashtrimi të kompanisë së sigurimeve, për të përfituar në mënyrë të paligjshme kompensim financiar nga një sigurim i lëshuar nga autoritetet gjermane.
Hetimet po zhvillohen në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj, ndërsa është kërkuar ndihma edhe nga autoritetet gjermane dhe të Maqedonisë së Veriut për të lokalizuar veturën dhe për të ndriçuar plotësisht rastin.
I dyshuari është ftuar për intervistim nga policia, por deri më tani nuk është paraqitur./IndeksOnline/