Policia: Kërcënimi për bombë në Kuvend erdhi nga një numër që dyshohet se është nga Serbia

Policia e Kosovës është deklaruar sërish mbi rastin e sotëm të kërcënimit me bombë në objektin e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Përmes një komunikate zyrtare, PK-ja deklaron se bazuar në hetimet e deritanishme, dyshohet se kërcënimet kanë ardhur përmes një numri të telefonit, që dyshohet se është nga Serbia, shkruan IndeksOnline.
“Lidhur me rastin e kërcënimit me mjet shpërthyes, të ndodhur sot në orët e paraditës në objektin shtetëror të RKS-së, Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet e sigurisë, ka vazhduar hetimet intensive, me qëllim të ndriqimit dhe zbulimit të kërcënimit.
Bazuar në hetimet e deritanishme, dyshohet se kërcënimet kanë ardhur përmes një numri të telefonit i cili dyshohet se është nga Serbia.
Policia në bashkëpunim me prokurorinë kompetente do të vazhdojë hetimet e mëtejme, duke marrur të gjitha masat hetimore, përfshirë edhe komunikimet me partnerë ndërkombëtar të sigurisë, për të lokalizuar mjetet, rrjetet e komunikimit që janë përdoruar në këtë kërcënim” thuhet në njoftimin e policisë.