Shpresë për paqe në Gaza, Netanjahu për herë të tretë në Shtëpinë e Bardhë

Pas 21 muajsh luftë të egër, po rriten shpresat për një armëpushim të plotë në Gaza. Këtë e kërkon edhe vetë kryeministri Izraelit, Benjamin Netanjahu, i cili do të takohet me presidentin amerikan në Uashington, për herë të tretë brenda pak muajve.
Bisedimet indirekte mes Izraelit dhe Hamasit lidhur me propozimin e Shteteve të Bashkuara për armëpushimin 60-ditor dhe lirimin e pengjeve rifilluan të dielën në mbrëmje në Katar. Megjithatë mbetet ende e paqartë, nëse dallimet kryesore mes palëve janë tejkaluar për të arritur në një marrëveshje, shkruan A2 CNN-i.
Palestinezët që jetojnë në kushte çnjerëzore në Gaza i kanë sytë në Uashington dhe në Doha, ku presin një lajm të mirë që nuk do të ketë më bomba mbi kokat e tyre. Përpara takimit të rëndësishëm në Zyrën Ovale, Netanjahu dhe Trump treguan optimizmin e tyre për rivendosjen e paqes në Lindjen e Mesme.
“Mendoj se jemi afër një marrëveshjeje për Gazan. Mund ta kemi këtë javë. Mendoj se ka shumë mundësi që të arrijmë një marrëveshje me Hamasin gjatë javës, në lidhje me disa nga pengjet. Ne kemi liruar shumë nga pengjet. Por, sa i përket pengjeve të mbetura, disa prej tyre do të lirohen. Mendojmë se do ta bëjmë këtë javë. Po punojmë për shumë gjëra me Izraelin. Një nga gjërat është ndoshta një marrëveshje e përhershme me Iranin. Ata duhet të heqin dorë nga të gjitha gjërat që ju i dini shumë mirë. Sulmi rezultoi sipas çdo komisioni të energjisë atomike, të ishte një zhdukje e plotë dhe totale”, tha Trump.
“Kjo është një mundësi për të zgjeruar rrethin e paqes shumë përtej asaj që mund ta kishim imagjinuar më parë. Ne tashmë e kemi transformuar fytyrën e Lindjes së Mesme përtej njohjes dhe kemi mundësinë dhe aftësinë ta ndryshojmë atë edhe më shumë dhe t’i sjellim një të ardhme të shkëlqyer Shtetit të Izraelit, popullit të Izraelit dhe të gjithë Lindjes së Mesme. Deri tani, kemi liruar 205 nga 255 pengje, përfshirë 148 të gjallë. Kanë mbetur 20 pengje të gjallë dhe 30 të vdekur. Jemi të vendosur t’i kthejmë të gjithë. Jemi gjithashtu të vendosur të sigurohemi që Gaza të mos përbëjë më kërcënim për Izraelin. Kjo do të thotë që nuk do të lejojmë një situatë ku ka më shumë rrëmbime, më shumë vrasje, më shumë prerje kokash, më shumë pushtime. Kjo do të thotë një gjë: eliminimin e aftësive ushtarake dhe qeveritare të Hamasit. Hamasi nuk do të jetë atje. Po punojmë për të arritur marrëveshjen që është diskutuar, sipas kushteve për të cilat kemi rënë dakord. Kam dërguar një ekip për të negociuar me udhëzime të qarta. Besoj se biseda me presidentin Trump mund të ndihmojë patjetër në avancimin e këtij rezultati, të cilin të gjithë e shpresojmë”, tha Benjamin Netanjahu, kryeministër i Izraelit.