75 Mall Live Search
15:02 / E Hënë, 07 Korrik 2025 / S Z

Sëmundjet e përhapura nga mushkonjat po bëhen gjithnjë e më shqetësuese në Evropë

Evropa po përballet me një verë të gjatë dhe të nxehtë – e bashkë me të, me një rritje të numrit të mushkonjave. Këto insekte nuk janë vetëm të bezdisshme, por edhe bartëse të sëmundjeve serioze si Zika, virusi i Nilit Perëndimor, dengut dhe chikungunya.

Sipas Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), rastet e këtyre infeksioneve janë shtuar ndjeshëm vitet e fundit për shkak të ngrohjes globale dhe udhëtimeve ndërkombëtare, raporton Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.

Në vitin 2024, u raportuan 1,436 raste të virusit të Nilit Perëndimor dhe 304 raste të dengut në Evropë – më shumë se dy vitet e mëparshme së bashku. Italia kishte shpërthimin më të madh të denges ndonjëherë në BE.

Këtë vit pritet një tjetër rekord. Franca tashmë ka raportuar shtatë shpërthime aktive të chikungunya-s, që sugjerojnë se sezoni i mushkonjave ka nisur më herët. Këto sëmundje, ndonëse të zakonshme në klimat tropikale, mund të bëhen endemike në Evropë, paralajmërojnë studiuesit.

Dengu shpesh kalon pa simptoma, por mund të shkaktojë ethe, dhimbje koke dhe skuqje. Teksa në anën tjetër, chikungunya mund të sjellë dhimbje të forta në kyçe që zgjasin me muaj.

Shkencëtarët vlerësojnë se, krahasuar me dekadat e kaluara kur duheshin 25 vjet për të ndodhur një shpërthim, sot kjo periudhë është shkurtuar në më pak se pesë vjet.

Për të frenuar përhapjen, ekspertët sugjerojnë masa si monitorimi i zonave të nxehta dhe pikave hyrëse si aeroportet.

Në Spanjë, qytetarët ndihmojnë duke dërguar foto të mushkonjave në një aplikacion me inteligjencë artificiale që ndihmon në identifikimin e specieve të rrezikshme. Që nga viti 2023, janë identifikuar mushkonja tigër në 156 komuna.

ECDC këshillon përdorimin e repelentëve dhe veshjen e rrobave mbuluese në agim dhe muzg.

Udhëtarët që kthehen nga rajone tropikale duhet të shmangin pickimet për të paktën tre javë për të parandaluar përhapjen e viruseve në Evropë.