Musliu pas vdekjes së Agon Zejnullahut: Policia ka nevojë për reforma urgjente

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu ka reaguar pas vdekjes së Agon Zejnullahut në Lipjan, gjatë arrestimit të tij nga pesë zyrtarë policorë.
Musliu thotë se “nuk guxojmë të lejojmë rrëshqitjen e shtetit tonë drejt formave të kontrollit represiv ose të kontrollit të tepruar policor”.
“Në asnjë rrethanë nuk mund të justifikojë abuzimin me forcën apo tejkalimin e autoritetit ligjor. Prandaj kërkoj që ky rast të hetohet me urgjencë, në mënyrë të pavarur, transparente dhe profesionale. Qytetarët kanë të drejtë të dinë të vërtetën, dhe askush nuk qëndron mbi ligjin, asnjë individ dhe asnjë institucion. Si një nga avokueset më të zëshme të Policisë së Kosovës, jam plotësisht e vetëdijshme për sfidat me të cilat përballen pjesëtarët e saj çdo ditë, nga mungesa e mbështetjes institucionale, trajtimi i papërshtatshëm profesional, e deri te mungesa e kushteve për një punë dinjitoze”, ka shkruar ndër të tjera Musliu.