Drejtoria e Mirëqenies Sociale në Prishtinë njofton përfituesit se po pamundësohen mbështetjet mujore, akuzon nivelin qendror

Drejtoria e Mirëqenies Sociale e Komunës së Prishtinës ka njoftuar përfituesit e skemave sociale se mbështetjet mujore nuk do të mund të procesohen.
Përmes një reagimi në Facebook, Drejtoria e Mirëqenies Sociale ka akuzuar nivelin qendror për shkak të bllokimit të buxhetit të Komunës së Prishtinës duke pamundësuar qytetarët të përfitojnë nga mbështetja komunale.
“Është e pafalshme që qytetarët më të cenueshëm të shoqërisë sonë – të moshuarit, fëmijët në nevojë, nënat vetushqyese, personat me aftësi të kufizuara dhe familjet në gjendje të rëndë ekonomike – po bëhen viktimë e bllokadave politike dhe të vendimeve që nuk reflektojnë as përgjegjësi institucionale, as ndjeshmëri sociale”, shkruhet në reagim.
Tutje, Drejtoria e Mirëqenies Sociale ka apeluar institucionet qendrore për ndërgjegjësim.
“Apelojmë për ndërgjegjësim dhe reflektim nga institucionet qendrore – sepse mirëqenia sociale nuk mund dhe nuk duhet të jetë peng i logjikës politike”.