Nesër seanca e 46-të, deputetët “kanë harruar” se si duket konstituimi

Nesër me fillim nga ora 11:00, në Kuvendin e Republikës së Kosovës do të mbahet një tjetër seancë konstituive – e 46-ta me radhë.
Teksa ngadalë dhe sigurt po shkohet drejt seancës jubilare, duket se deputetët “kanë harruar” se për çka po shkojnë, shkruan IndeksOnline.
Zgjidhja e ngërçit politik ende nuk po arrihet, pavarësisht seancave që po mbahen çdo 48 orë, që nga prilli.
Tash e disa seanca, ngecja po zhvillohet në formimin e Komisionit parlamentar për votim të fshehtë, me partitë opozitare që po e shfrytëzojnë foltoren për të bërë thirrje për mos shkelje të Kushtetutës pikërisht për këtë pikë të rendit të ditës.
Dhe me Avni Deharin që kërkon ndaljen e mikrofonit, po përfundohen seancat tashmë të shkurtra dhe jo efektive.
Tashmë është bërë gjysmë muaji prej kur Gjykata Kushtetuese publikoi aktgjykimin që i obligon deputetët të përfundojnë seancat konstituive përmes zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit, në afat prej 30 ditësh./IndeksOnline/