75 Mall Live Search
09:05 / E Hënë, 14 Korrik 2025 / k.v

Naim Murseli futet në gjykatë, pritet të dëshmojë vëllai i Liridona Ademajt (Video/foto)

Sot pritet të vazhdojë gjykimi ndaj Naim Murselit dhe të tjerëve të akuzuar për vrasjen e rëndë të Liridona Ademajt, ngjarje që tronditi opinionin publik në fund të vitit të kaluar, transmeton portali IndeksOnline.

Murseli, i akuzuar për organizimin e vrasjes së bashkëshortes së tij, është futur paraditen e sotme në ambientet e gjykatës.

Sipas juristes për media, Flutura Kusari, gjatë seancës së sotme pritet të dëshmojë vëllai i viktimës, Leonard Ademaj, nëse nuk do të ketë ndonjë ndryshim të papritur në agjendë.

Pak ditë më parë, Instituti i Psikiatrisë Forenzike ka përfunduar vlerësimin psikiatrik ndaj Murselit.

Sipas raportit zyrtar, “tek i ekzaminuari Naim Murseli nuk është konstatuar ndonjë çrregullim mendor apo sëmundje mendore, as e përkohshme dhe as e përhershme”.

Raporti gjithashtu konstaton se në momentin e kryerjes së krimit, Murseli ka qenë plotësisht i vetëdijshëm për veprimet dhe pasojat e tyre.

Në seancën fillestare të mbajtur më 31 janar 2025, Naim Murseli u deklarua i pafajshëm. I akuzuari tjetër, Granit Plava, nuk dha deklaratë lidhur me fajësinë, ndërsa Kushtrim Kokalla kërkoi kohë për t’u konsultuar me mbrojtjen. Vetëm Tom Dodaj pranoi fajësinë dhe u dënua me 5 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë./IndeksOnline/