Macroni shpall plane për të rritur shpenzimet e mbrojtjes

Presidenti francez njoftoi 6.5 miliardë euro shpenzime shtesë ushtarake për dy vitet e ardhshme. Ai tha se Evropa është nën kërcënim më të madh se në çdo kohë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.
Presidenti francez Emmanuel Macron njoftoi të dielën një plan për të rritur shpenzimet e mbrojtjes gjatë dy vitet e ardhshme për shkak të kërcënimeve në rritje.
Në fjalimin tradicional të presidentit francez drejtuar forcave të armatosura në prag të Ditës së Bastijës, Macron deklaroi: “Që nga viti 1945, liria nuk ka qenë kurrë kaq e kërcënuar dhe kurrë kaq seriozisht.”
Sipas Macronit, shpenzimet vjetore të mbrojtjes të Francës do të rriten në 64 miliardë euro deri në vitin 2027 – një shumë që do të dyfishonte 32 miliardë eurot në shpenzimet vjetore kur ai mori detyrën në vitin 2017. Franca më parë kishte synuar që këtë qëllim ta arrinte deri në vitin 2030.
Macroni tha gjithashtu se do të investohen 3.5 miliardë euro shtesë për vitin 2026 dhe 3 miliardë euro të tjera në vitin 2027, në fund të mandatit të tij të dytë.
“Për të qenë të lirë në këtë botë, duhet të na kenë frikë. Për të na pasur frikë, duhet të jemi të fuqishëm”, deklaroi Macroni.
“Asnjëherë paqja në kontinentin tonë nuk është varur kaq shumë nga vendimet që marrim tani”, shtoi ai.
Sipas Macronit, Evropa është në rrezik për shkak të luftës së Rusisë në Ukrainë, luftërave në Lindjen e Mesme dhe sepse “SHBA kanë shtuar një formë pasigurie”. Ai paralajmëroi gjithashtu për rreziqe nga kërcënimet kibernetike dhe fushatat e dezinformimit.
Macroni shtoi se kryeministri François Bayrou do të japë më shumë detaje për investimet në mbrojtje të martën, në një fjalim mbi planet për buxhetin e vitit 2026. /DW