“60 ditë luftë intensive”, Putin i tregon Trumpit se po nis një ofensivë të madhe verore në Ukrainë

Presidenti rus Vladimir Putin e ka njoftuar homologun amerikan, Donald Trump se planifikon të intensifikojë operacionet ushtarake në Ukrainën lindore brenda 60 ditëve.
Axios duke cituar burime të paidentifikuara të njohura me përmbajtjen e një telefonate midis dy udhëheqësve në fillim të këtij muaji raportoi sot se Moska dëshiron të marrë kontrollin e plotë të territoreve të pushtuara, ndërsa Perëndimi rrit mbështetjen ushtarake për Ukrainën.
Thirrja telefonike Trump-Putin u zhvillua më 3 korrik dhe sipas të njëjtave burime, Putin njoftoi se Rusia do të vazhdonte ofensivën derisa të merrte kontrollin e plotë territorial mbi rajonet e pushtuara ukrainase.
“Ai dëshiron të marrë gjithçka”, i tha Trump presidentit francez Emmanuel Macron pas bisedimeve me udhëheqësin rus, raporton Kyiv Independent.
Ky njoftim vjen në një kohë kur Rusia po rrit sulmet në rajonin e Donetskut dhe po përpiqet të depërtojë nëpër mbrojtjet ukrainase drejt rajonit të Dnipropetrovskut, i cili deri më tani është kursyer kryesisht nga ndërhyrje të mëdha.
Moska aktualisht kontrollon rreth 20% të territorit të Ukrainës, duke përfshirë pothuajse të gjithë Oblastin e Luhanskut, dy të tretat e Donetskut dhe pjesë të Oblasteve të Zaporizhias dhe Khersonit. Në vitin 2022, pas referendumeve të rreme, Rusia shpalli aneksimin e këtyre zonave, megjithëse një veprim i tillë nuk ka njohje ndërkombëtare.
Më 14 korrik, Trump njoftoi se do të dërgonte sisteme shtesë të mbrojtjes ajrore Patriot në Kiev, paketa e tij e parë ushtarake në Ukrainë që nuk është trashëguar nga administrata e mëparshme e Biden. Kjo shënon një ndryshim të mundshëm në qëndrimin e tij të mëparshëm, pasi në vend që ta ftonte Putinin të negocionte, Trump ka mbështetur gjithnjë e më shumë aftësitë mbrojtëse të Ukrainës.