Ekskluzive: Momenti kur Policia arreston të dyshuarin pas të shtënave në Dragodan ku mbeti i plagosur 36-vjeçari (Video)

IndeksOnline ka siguruar pamje ekskluzive nga momentet e tensionuara të mbrëmjes së kaluar në lagjen Dragodan, ku një person u plagos pas të shtënave me armë zjarri në rrugën “Ferid Curri”.
Në video shihet qartë ndërhyrja e shpejtë e Policisë së Kosovës, momenti kur i dyshuari arrestohet dhe kur zyrtarët policorë vendosin shirita sigurie për të rrethuar vendin e ngjarjes.
Pamjet dëshmojnë seriozitetin e operacionit dhe shqetësimin që ngjarja ka shkaktuar te banorët e zonës, të cilët u zgjuan nga zhurma e të shtënave.
Sipas raportit zyrtar të policisë, i dyshuari, mashkull kosovar, ka shtënë në drejtim të viktimës B.H. (rreth 36 vjeç), i cili më pas është dërguar në QKUK për trajtim mjekësor. Nga vendi i ngjarjes janë sekuestruar 14 gëzhoja dhe 11 fragmente predhash, ndërsa nga i dyshuari është konfiskuar një armë zjarri me një karikator dhe tre fishekë.
Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërkohë që hetimet janë duke vazhduar për zbardhjen e plotë të rastit./IndeksOnline/