75 Mall Live Search
18:18 / E Premte, 12 Qershor 2026 / F.R

Muja: Shpallen 65 përfituesit e LOT 2 në kuadër të skemës së granteve për zhvillim rural

Ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, ka shpallur 65 përfituesit e LOT 2 në kuadër të Skemës së Granteve për Diversifikimin e Fermave dhe Zhvillimin e Bizneseve Rurale, e cila zbatohet në bashkëpunim me Qeverinë Gjermane përmes GIZ-it.

Kjo skemë synon të krijojë mundësi të reja ekonomike në zonat rurale, të rrisë konkurrueshmërinë e sektorit bujqësor dhe të forcojë qëndrueshmërinë ekonomike të komuniteteve rurale në Kosovë.

“Së shpejti do të përzgjidhen edhe përfituesit e LOT 1 dhe LOT 3. Në kuadër të LOT 2 kanë përfituar edhe gra fermere, të cilat do të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin rural dhe fuqizimin ekonomik të familjeve dhe komuniteteve rurale. Procesi i përzgjedhjes është zhvilluar në mënyrë profesionale, transparente dhe të paanshme, duke siguruar trajtim të barabartë për të gjithë aplikuesit”, u shpreh Ministri në detyrë Armend Muja.

Përmes LOT 2 mbështeten investime në sektorë me potencial të lartë zhvillimi, duke përfshirë agroturizmin, përpunimin e produkteve bujqësore, bletarinë, akuakulturën, produktet pyjore jo-drusore, si dhe bimët mjekësore dhe aromatike. Këto investime synojnë diversifikimin e ekonomisë rurale dhe krijimin e burimeve të reja të të ardhurave për fermerët dhe ndërmarrjet rurale.

Në këtë thirrje janë pranuar gjithsej 216 aplikime, ndërsa 65 aplikues janë përzgjedhur për mbështetje financiare. Procesi i vlerësimit është zhvilluar në disa faza, përfshirë kontrollin administrativ, verifikimin në terren dhe vlerësimin teknik, duke siguruar transparencë dhe profesionalizëm në çdo hap të procedurës. Një vëmendje e veçantë i është kushtuar përfshirjes së grave fermere, të cilat janë pjesë e rëndësishme e përfituesve dhe pritet të kontribuojnë në fuqizimin e rolit të tyre në ekonominë rurale dhe zhvillimin e komuniteteve lokale.

Skema është e dizajnuar mbi parimet e programit IPARD, me qëllim përafrimin gradual me standardet e Bashkimit Evropian për zhvillim rural dhe rritjen e kapaciteteve të përfituesve për investime të qëndrueshme dhe konkurruese.

Me përmbylljen e të tri loteve, kjo skemë pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në krijimin e vendeve të reja të punës, rritjen e të ardhurave familjare dhe përmirësimin e cilësisë së jetës në zonat rurale të Kosovës.