75 Mall Live Search
11:49 / E Shtunë, 26 Korrik 2025 / A. M.

Kurti: Policia e Kosovës u sulmua shpesh, por gjithnjë doli fitimtare

Në nderim të 14 vjetorit të rënies së Heroit Enver Zymeri dhe Ditës Memoriale të zyrtarëve policorë të rënë në krye të detyrës, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe drejtori i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, bënë homazhe te Lapidari i Policëve të Rënë, në oborrin e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë në Prishtinë.

Në homazhet shtetërore mori pjesë edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili ka theksuar se Policia e Kosovës është forcë multietnike që u sulmua shpesh, por gjithnjë doli fitimtare.

“Jemi këtu te lapidari i policëve të rënë në detyrë, 24 gjithsej në Kosovën e pasluftës. Dua të theksojë heroin Enver Zyberin dhe Afrim Bunjakun që ranë në detyrë. Policia e Kosovës është një forcë multietnike që u sulmua shpesh por gjithnjë doli fitimtare. Kemi dhimbje e pikëllim., kemi shumë mall, por kemi edhe krenari. Lavdi të gjithë policëve të Kosovës, të rënë në krye të detyrës”, ka theksuar Kurti.Gjatë ditës, do të mbahen homazhe pranë varrit të Heroit Afrim Bunjaku si dhe vizitë në familjen e tij. Po ashtu, janë paraparë homazhe pranë varrit të Heroit Enver Zymeri, vizitë në familjen e tij dhe nderime pranë lapidarit në vendin e rënies së tij”.

Ceremonitë përkujtimore përmbyllen në orën 17:00 me pritjen zyrtare të marshuesve në Qendrën për Trajnim për Kërkim-Shpëtim “Berim” në Zubin Potok – Ujman.