75 Mall Live Search
13:33 / E Shtunë, 26 Korrik 2025 / FR

Zjarri në Pejë erdhi si pasojë e një konflikti mes dy familjarëve, dëmi rreth 50 mijë euro

Biznesi i pjesëve të makinave që u përfshi nga flakët këtë të shtunë në Pejë, dyshohet se erdhi si shkak i një konflikti mes dy familjarëve.

Njëri prej tyre dyshohet se ia ka vënë flakën veturave që ishin për pjesë rezervë, pas mosmarrëveshjes me familjarin tjetër.

Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

“Rreth orës 11:00, Policia është njoftuar për një zjarr në rrugën ‘Gani Daci’. Dyshohet se deri te zjarri erdhi si pasojë e një mosmarrëveshje mes dy familjarëve, ku njëri prej tyre ka shkuar në pllacin e tjetrit, ku ia ka vënë zjarrin disa makinave që ishin për pjesë. Sipas viktimës, dëmi është rreth 50 mijë euro”, tha Gashi.

Tutje, ai tha se në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet kompetente të policisë, ku po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.