NASA publikon hartën: Mesdheu po digjet nga zjarret

Mesdheu po përjeton një prej verave më të nxehta dhe më shkatërrimtare të viteve të fundit, ndërsa qindra vatra zjarri janë regjistruar përgjatë gjithë rajonit.- Advertisement –
NASA ka publikuar imazhe satelitore që tregojnë qartë përhapjen e flakëve në vende të ndryshme si Greqia, Spanja, Italia, Qipro, Franca Jugore dhe Shqipëria.
Pamjet e kapura nga sistemi satelitor i NASA-s dokumentojnë vatrat aktive në kohë reale. Çdo pikë e kuqe në hartat satelitore përfaqëson një zjarr i vogël apo i madh që po shkrumbon sipërfaqe të mëdha të gjelbërta, kryesisht në zona pyjore.
Të dhënat e mbledhura nga agjencia hapësinore amerikane ofrojnë një pasqyrë të qartë mbi zhvillimin e situatës gjatë 24 orëve të fundit, si dhe gjatë javës së kaluar, e cila ka qenë ndër më të nxehtat e kësaj vere.
Sipas NASA-s, përhapja e zjarreve është ndikuar nga temperaturat ekstreme që kanë përfshirë gadishullin Ballkanik dhe pjesë të Italisë. Në shumë zona, situata është përkeqësuar edhe për shkak të erërave të forta dhe mungesës së reshjeve.
Ndërsa shumica e vatrave përfaqësojnë zjarre të përhapura në pyje, agjencia paralajmëron se disa prej pikave të kuqe në hartë mund të lidhen edhe me aktivitete të tjera njerëzore, si djegie të kontrolluara nga fermerët, procese industriale, apo edhe shpërthime që lidhen me konfliktin në Ukrainë.
Autoritetet në vendet e prekura vijojnë përpjekjet për të vënë situatën nën kontroll, ndërsa banorët janë paralajmëruar për rrezikun në rritje nga përhapja e flakëve.