75 Mall Live Search
11:20 / E Mërkurë, 30 Korrik 2025 / MSH

Prokuroria e Prizrenit ngrit aktakuzë ndaj të dyshuarit që mirrej me shitblerje narkotikësh

Departamenti i Krimeve të Rënda, në kuadër të Prokurorisë Themelore të Prizrenit, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit Y.M., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Sipas aktakuzës, me datë 16.04.2025, rreth orës 22:00 në Suharekë, i pandehuri pa autorizim shpërndau dhe shiti substanca psikotrope të llojit “marihuanë”, me peshë të përgjithshme prej 1kg e 143 gramë, në atë mënyrë që pas kontrollit në veturën e tij “Opel Astra”, nën karrigen e vozitësit është gjetur një shishe qelqi me substancë narkotike e llojit “marihuanë” me peshë 0.61 gramë dhe një mulli – grinder.

Ndërsa, pas bastisjes së zhvilluar në shtëpinë e tij në fshatin Reshtan të Suharekës, tek i njëjti janë gjetur: një shishe e gjelbër plastike e mbushur me marihuanë (2.34 gramë), një qese e tejdukshme e mbushur me marihuanë (126.26 gramë), një kavanoz qelqi i mbushur me marihuanë (27.21 gramë), një kavanoz qelqi i mbushur me marihuanë (251.34 gramë), një kavanoz qelqi i mbushur me marihuanë (228.29 gramë), një kavanoz qelqi i mbushur me marihuanë (255.63 gramë), një kavanoz qelqi i mbushur me marihuanë (251.30 gramë), dy qese plastike të mbushura me substancë narkotike të llojit “marihuanë” me peshë 72.72 gram- si dhe qese të shumta plastike për paketim të mariuhanës, një qese e madhe plastike e tejdukshme me mbetje të substancë narkotike të llojit mariuhanë dhe kokainë, një mulli- grinder për bluarje si dhe një peshore digjitale.

Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” sipas KPRK-së.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri për veprën penale për të cilën akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.

I pandehuri gjendet nën masën e paraburgimit nga data 16.04.2025.