Zyrtare/ Armando Sadiku kthehet në Evropë, prezantohet te klubi i ri

Armando Sadiku është lojtari më i ri i Belinzonës në Zvicër, ekip që luan në kategorinë e dytë.
Ish-sulmuesi i Kombëtares u përfol më parë për një rikthim tek Elbasani, por në fund asgjë nuk u konkretizua për Superioren, kështu që 34-vjeçari vijon të japë kontributin e tij jashtë Shqipërisë.
“Armando Sadiku është lojtari i ri i Belinzonës. Belinzona ka kënaqësinë të mirëpresë një sulmues të vërtetë me përvojë ndërkombëtare: Armando Sadiku. I lindur në vitin 1991, sulmuesi shqiptar me një karrierë të pasur dhe të respektuar ka veshur fanellat e klubeve të njohura si Zyrih, Lugano, Legia Varshavës dhe Levante”, lexohet në njoftimin e klubit nga Zvicra, shkruan A2-shi.
“Ai ka luajtur në kampionatet e Superligës, Ekstraklasa, La Liga dhe në liga të tjera europiane, duke sjell me vete eksperiencë, karizëm dhe më shumë se 30 ndeshje me Kombëtaren shqiptare, për të cilën ka shënuar në fazën e grupeve të Euro 2016, me një gol historik kundër Rumanisë. Fuqia fizike, instinkti i golit dhe mentaliteti fitues janë tashmë në shërbim të sulmit të skuadrës. Me të, Belinzona synon më lart. Mirë se erdhe në Belinzona, Armando”! shton njoftimi.