Bajrami: Nëse ZRRE-ja s’e pezullon vendimin, do të hyjë në histori si armiku më i madh i ekonomisë

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka reaguar ndaj Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), duke thënë se nëse ky rregulator nuk e pezullon sot vendimin për përjashtimin e bizneseve nga shërbimi universal i furnizimit me energji, do të hyjë në histori si “armiku më i madh i ekonomisë në vend”.
Deputetja Bajrami ka shkruar në Facebook se rreth 140 mijë vende pune janë në rrezik, ndërsa përjashtimi i bizneseve nga tregu i rregulluar mund të shkaktojë një valë të re inflacioni që do të prekë çdo produkt.
“E kemi thënë që në fillimi: nuk ka treg të lirë, bizneset nuk janë të përgatitura, as institucionet, andaj bizneset e përjashtuara nga tregu i rregulluar ende nuk i kanë faturat e muajit qershor”, shkruan Hajdari.
Ish-ministrja e Financave, Bajrami thekson se Prokuroria nuk duhet të ketë pardon për bordin e ZRRE-së.
“Nuk duhet të lejohet asnjëherë që njerëz që paguhen me para publike me punu për interesa private. Le të tregojë ZRRE-ja si institucion mbikëqyrës: Pse bizneset e përjashtuara nga tregu i rregulluar ende nuk i kanë faturat e muajit qershor? Pse importi i energjisë në qershor është rritur 800% krahasuar me muajin maj? Kush janë përfituesit e kësaj skeme? Emrat tashmë dihen: EFT-ja e Vuk Hamoviqit, tregtarët e tjerë me nga dy punëtorë, e tash e tutje në rrethin e përfituesëve pritet me hy edhe kompanitë e licencuara së voni nga ZRRE-ja që kanë lidhje të ngushta me politikën”, shkruan Bajrami.
Sipas saj, ZRRE-së po sakrifikon ekonominë, prodhimin vendor dhe 140 mijë vende pune për interesa mafioze.
“Prokuroria, o sot, o kurrë”, shkruan ajo.
Gjykata Komerciale e Kosovës, raportohet se ka pezulluar vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), që parasheh daljen e bizneseve në tregun e liberalizuar të energjisë elektrike.
Masa e pezullimit do të vlejë derisa Gjykata të marrë një vendim përfundimtar për këtë çështje.
Megjithatë, ende nuk ka një përgjigje zyrtare për KosovaPress nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) lidhur me këtë vendim, nëse do ta anulojë në tërësi njoftimin e datës 12 mars 2025, përmes të cilës janë njoftuar kompanitë për kalimin e detyrueshëm në tregun e hapur të energjisë elektrike.