Binance Research: Kriptomonedhat ruajnë stabilitetin me gjithë turbulencat globale

Pavarësisht tensioneve gjeopolitike dhe pasigurive ekonomike globale, tregu i kriptomonedhave ka arritur të mbajë një rritje modeste dhe të forcojë besimin institucional. Raporti i fundit i Binance Research për gjysmën e parë të vitit tregon se kapitalizimi i përgjithshëm i tregut është rritur me 2.6% gjatë muajit qershor, duke dëshmuar elasticitetin e industrisë edhe në kushte të vështira.
Në fillim të muajit, tregjet u tronditën nga tensionet në Lindjen e Mesme dhe shqetësimet për furnizimet energjetike, duke sjell luhatje të forta në vlerën e aseteve digjitale. Bitcoin, si udhëheqësi i tregut, pësoi një rënie mbi 11% në vetëm disa ditë. Megjithatë, në pjesën e dytë të muajit u shënua një rikuperim i dukshëm, duke treguar se interesi për kripto mbetet i qëndrueshëm, sidomos nga investitorët institucionalë që vazhdojnë të injektojnë kapital përmes ETF-ve spot.
Dominimi i Bitcoin-it arriti 65% – niveli më i lartë që nga viti 2021 – duke e konsoliduar rolin e tij jo vetëm si një aset digjital, por si një instrument makroekonomik me ndikim të gjerë. Ndërkohë, stablecoin-et kapërcyen pragun e 250 miliardë dollarëve në kapitalizim, me volumin on-chain që u rrit mbi 7.5 trilionë dollarë krahasuar me vitin e kaluar. Kjo rritje u mbështet fuqishëm nga hyrja në fuqi e ligjit GENIUS Act në SHBA dhe nga zbatimi i rregullores MiCA në Bashkimin Evropian, të cilat forcuan sigurinë ligjore dhe besimin e investitorëve.
Një tjetër zhvillim i rëndësishëm ishte rritja e tregtisë së decentralizuar (DEX), e cila në qershor arriti një nivel rekord duke zënë 27.9% të tregut të përgjithshëm spot. Platforma PancakeSwap u shqua si lider, duke rritur pjesën e saj të tregut nga 16% në 42% falë përmirësimeve teknologjike dhe ofrimit të një përvoje më efikase për përdoruesit.
Raporti nënvizon gjithashtu se pavarësisht sfidave të momentit, trendet afatgjata mbeten pozitive. Interesi i lartë institucional, zhvillimet në stablecoin-e dhe zgjerimi i tregtisë në platformat e decentralizuara tregojnë se industria e kriptomonedhave po hyn në një fazë më të pjekur dhe më të qëndrueshme.
“Me gjithë sfidat e tregut global, sektori i aseteve digjitale ka treguar stabilitet dhe aftësi për t’u përshtatur. Kjo është një shenjë e qartë se kripto po konsolidohet si pjesë thelbësore e financave moderne,” thuhet në raportin e Binance Research.
Teksa futemi në pjesën e dytë të vitit 2025, të dhënat sugjerojnë se kriptomonedhat do të vazhdojnë të luajnë një rol qendror në ekonominë globale, duke u bërë gjithnjë e më të lidhura me tregjet tradicionale financiare dhe me zhvillimet institucionale.