Policia e Ferizajt vazhdon aksionin, 23 motoçikleta të konfiskuara brenda një jave

Policia Rajonale e Ferizajt ka vazhduar zbatimin e planit operativ “Motoçikleta 2025”.
Gjatë periudhës njëjavore, nga 28 korriku deri më 3 gusht 2025, janë shqiptuar gjithsej 13 gjoba për shkelje të ndryshme të rregullave të trafikut, ndërsa janë konfiskuar 23 motoçikleta, për shkak të mungesës së dokumentacionit përkatës dhe mospërfilljes së normave ligjore të qarkullimit rrugor.
Policia ka bërë të ditur se kontrollet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim në të gjitha zonat e rajonit të Ferizajt, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e vetëdijes së pjesëmarrësve në trafik.
Autoritetet ftojnë të gjithë motoçiklistët që të respektojnë ligjet dhe të pajisen me dokumentacionin e nevojshëm, për të shmangur ndëshkimet dhe për të kontribuar në një ambient më të sigurt për të gjithë.