75 Mall Live Search
19:10 / E Hënë, 04 Gusht 2025 / LB

Shkëndija përballet me Qarabag: Beqiri dhe Ibraimi besojnë në shanse

Trajneri i Shkëndijës, Jeton Beqiri, është i vetëdijshëm për forcën e kampionit të Azerbajxhanit, Qarabag, por ai ka besim në ekipin e tij.

Dy skuadrat do të takohen në një ndeshje të vlefshme për raundin e tretë të kualifikimeve në Champions League. 

“Qarabag është ekip shumë serioz, me njëmbëdhjetë tituj kampioni në dymbëdhjetë sezonet e fundit. Por ne besojmë se do t’i kemi shanset tona. Duhet të jemi shumë të fokusuar dhe cinikë në lojë. Duke e respektuar kundërshtarin, nuk duhet të harrojmë asnjëherë të respektojmë edhe veten”, është shprehur Beqiri.

Ai ka kërkuar nga futbollistët që të japin maksimumin dhe të luajnë në nivelin më të lartë të mundshëm:
“Ndeshjet e Champions League nuk fitohen kur nuk je në formën më të mirë. Pas ndeshjes me Steauan nuk isha i kënaqur me lojën, e dija që për të kaluar më tej duhet të luajmë më mirë. Tani, më shumë se kurrë, duhet të jemi agresivë dhe të shfrytëzojmë çdo rast që na paraqitet”, ka thënë ai. 

Ndërkohë, kapiteni dhe sulmuesi me përvojë, Besar Ibraimi, ka theksuar rëndësinë e një paraqitje të ngjashme me ato ndaj TNS dhe FCSB:
“Nëse luajmë si me TNS dhe FCSB, do të kemi shanse edhe ndaj Qarabag. Dua të falënderoj ‘Ballistët’ që na mbështetën në Rumani, dhe i ftoj të jenë nesër në numër të madh. Qarabagu është favorit, por nuk fiton gjithmonë favoriti. Me pak fat, pse jo, mund ta eliminojmë”, ka thënë Ibraimi./RTK