75 Mall Live Search
10:47 / E Enjte, 07 Gusht 2025 / MSH

Ngrihet aktakuzë ndaj Ylber Morinës, jepte para me fajde me kamata të larta

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit Ylber Morina, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ai ka kryer veprat penale “Fajdeja” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

“Sipas aktakuzës, i pandehuri Y.M., nga data 31.12.2024 e në vazhdimësi deri me datë 16.04.2025 në fshatin Reshtan – Komuna e Suharekës, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë për vete, kontrakton një shumë dukshëm jo proporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit (dhënies së borxhit), duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të dëmtuarit S.Sh., në atë mënyrë që i dëmtuari për shkak të gjendjes së rëndë financiare, nga i pandehuri merr të holla në shumë prej 2.500 € (dymijë e pesëqind euro), me kamatë mujore me interes në shumë prej 250 (dyqindepesëdhjetë euro), pastaj i pandehuri për shkak vonesave që ka pasur i dëmtuari në kthimin e huasë bashkë me interesin, kamata mujore arrinë në shumë prej 500 € (pesëqind euro), dhe i pandehuri për sigurimin e huasë bashkë me interesin, me datë 16.04.2025 takohet me të dëmtuarin ku i dëmtuari në emër të fajdesë ia jep shumën prej 1.000 € (njëmijë euro) të pandehurit i cili pastaj me paratë e marra nga i dëmtuari arrestohet në flagrancë nga policia. Me këto veprime, Ai  ka kryer veprën penale “Fajdeja” sipas KPRK-së” thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Po ashtu, i pandehuri, mban në pronësi armë. Me rastin e kontrollimit të automjetit “Opel Astra”, pronë e të pandehurit janë gjetur: një pistolete ngjyrë e zezë e modelit P22 Walther, një karikator i zbrazët, një fishek i armëve të gjata dhe dy fishekë të pistoletës.

Ndërsa, gjatë kontrollimit të banesës së tij, janë gjetur: një pistoletë e modelit Rohm RG96, kalibrit 9mm, një karikator i pistoletës me 9 fishekë, 45 fishekë për armë të gjata, një kuti plastike me 36 fishekë të pistoletës, me mbishkrim G.F.L 9mm, Luger, një armë zjarri e gjatë, një karikator i armëve të gjata (skorpionit) me 1 fishek, me mbishkrim në baze G.F.L, 9mm Luger.

Prokurori i rastit ka propozuar që të bëhet konfiskimi i mjeteve dhe sendeve të cilat kanë mundësuar kryerjen e veprës penale dhe të cilat janë dobi pasurore e fituar me vepër penale, për të cilat është lëshuar urdhër ndalues përfundimtar nga gjykata, për automjetin “Opel Astra”, 205 euro, 40 franga zvicerane, 5 dollarë, 2 telefona mobilë si dhe armët e përmendura më lart.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.