Shefi i OKB-së kritikon planin e Izraelit për kontrollin e Gazës: Përshkallëzim i rrezikshëm

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka dënuar ashpër planin e Izraelit për të marrë kontrollin e qytetit të Gazës, duke e cilësuar këtë veprim si një “përshkallëzim të rrezikshëm” që rrezikon të përkeqësojë më tej pasojat tashmë katastrofike për miliona palestinezë.
Sipas deklaratës së publikuar nga zëdhënësi i tij dhe raportuar nga The Guardian, ky vendim do të sjellë “zhvendosje të detyruar shtesë, vrasje dhe shkatërrim masiv”, duke shtuar vuajtjet e pafundme të popullsisë palestineze në Gaza.
Guterres theksoi edhe në një postim në rrjetin X: “Jam thellësisht i alarmuar nga vendimi i qeverisë izraelite për të ‘marrë kontrollin e qytetit të Gazës’. Ky është një përshkallëzim i rrezikshëm dhe rrezikon të thellojë pasojat tashmë katastrofike për miliona palestinezë. Mund të vërë në rrezik edhe më shumë jetë, përfshirë ato të pengjeve që ende mbahen. E përsëris thirrjen time urgjente për një armëpushim të përhershëm, akses të pakufizuar humanitar në të gjithë Gazën dhe lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të të gjithë pengjeve.”
Kjo reagim i tij vjen pas deklaratës së komisionerit të lartë për të drejtat e njeriut në OKB, Volker Türk, i cili u shpreh se “plani i qeverisë izraelite për një pushtim të plotë ushtarak të Rripit të Gazës duhet të ndalet menjëherë”.
Në fjalën e tij, Türk theksoi se ky plan shkel vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila kërkon që Izraeli t’i japë fund pushtimit sa më shpejt të jetë e mundur, duke respektuar zgjidhjen me dy shtete dhe të drejtën e palestinezëve për vetëvendosje.