75 Mall Live Search
10:30 / E Mërkurë, 13 Gusht 2025 / H F

Ja kur pritet të hapet aplikimi për subvencionimin e librave shkollorë

Na ndajnë pak ditë nga fillimi i vitit të ri shkollor, ndërkaq aplikimi për subvencionimin e librave ende nuk është hapur.

Burime të IndeksOnline bëjnë me dije se aplikimi pritet të hapet brenda kësaj jave, duke marrë parasysh se viti i ri shkollor 2025–2026 fillon më 1 shtator dhe prindërit kanë nevojë për kohë të mjaftueshme për të përfituar nga subvencionimi.

Si në vitin e kaluar, edhe këtë vit Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) pritet ta realizojë procesin e aplikimit përmes platformës e-Kosova, ku prindërit mund të aplikojnë për subvencionim të teksteve shkollore për fëmijët e tyre.

Vitit e kaluar, aplikimi u bë publik përmes një linku në platformën e-Kosova, ku qytetarët aplikonin në mënyrë elektronike për të përfituar: 80 euro për nxënësit nga klasa 1 deri në 5 dhe 110 euro për nxënësit nga klasa 6 deri në të 9-n.

Ministrja e Arsimit në detyrë, Arbërie Nagavci, kishte konfirmuar se subvencionimi do të përdorej për blerjen e librave shkollorë, me qëllim lehtësimin e barrës financiare për familjet.

Megjithatë, për këtë vit ende nuk ka ndonjë njoftim zyrtar nga MASHT-i që të konfirmojë datën e saktë të hapjes së aplikimit. Pritet që njoftimi të bëhet publik shumë shpejt përmes kanaleve zyrtare të ministrisë dhe platformës e-Kosova./ IndeksOnline/