Kufijtë e Ukrainës nuk duhet të ndryshohen me forcë, thonë liderët e BE-së

Liderët evropianë kanë paralajmëruar kundër ndryshimit me forcë të kufijve të Ukrainës – dy ditë para se të mbahet në Alaska një samit SHBA–Rusi për Ukrainën.
Në një deklaratë, liderët evropianë thanë se “populli i Ukrainës duhet të ketë lirinë të vendosë për të ardhmen e tij”. Ata shtuan se parimet e “integritetit territorial” duhet të respektohen dhe se “kufijtë ndërkombëtarë nuk duhet të ndryshohen me forcë”.
Deklarata u nënshkrua nga 26 nga 27 liderë të BE-së. I vetmi që nuk nënshkroi ishte kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, i cili ka ruajtur marrëdhënie miqësore me Rusinë dhe ka tentuar vazhdimisht të bllokojë mbështetjen e BE-së për Ukrainën.
Deklarata pasqyron shqetësimin e madh të vendeve evropiane për veprimet e Moskës në Ukrainë – veçanërisht në ato vende që kufizohen me Rusinë ose ku ende është e freskët kujtesa e pushtimit sovjetik – nga frika se një skenar i ngjashëm mund të ndodhë sërish në të ardhmen e afërt.
Vitet e fundit, Suedia dhe Finlanda janë anëtarësuar në NATO, vendet baltike kanë rikthyer shërbimin e detyrueshëm ushtarak, ndërsa Polonia ka ndarë miliarda për të ndërtuar një barrierë përgjatë kufirit me Rusinë.
Vendet evropiane, të cilat historikisht kanë përjetuar ndryshime kufijsh përmes luftërave të përgjakshme, janë veçanërisht të shqetësuara se SHBA mund të lejojë një gjë të tillë të ndodhë në Ukrainë. Një njohje ligjore e sovranitetit të Rusisë mbi territoret që ajo ka pushtuar me forcë është e papranueshme për BE-në.
Presidenti amerikan Donald Trump ka këmbëngulur se çdo marrëveshje paqeje do të përfshinte “disa shkëmbime territoresh” dhe mund të parashikonte që Rusia të merrte të gjithë rajonin e Donbasit në lindje të Ukrainës dhe të mbante Krimenë. Në këmbim, ajo do të hiqte dorë nga rajonet Kherson dhe Zaporizhzhia, të cilat i kontrollon pjesërisht.
Javën e kaluar, teksa pranoi se një pjesë e territorit ukrainas mund të mbetej de facto nën kontrollin e Rusisë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, theksoi se kjo nuk duhet të njihet zyrtarisht.
Njohja formale do të kërkonte ndryshimin e kushtetutës së Ukrainës, gjë që duhet miratuar përmes një referendumi kombëtar, i cili nga ana tjetër duhet të autorizohet nga parlamenti ukrainas. Kjo do të ishte një pengesë e madhe për presidentin Volodymyr Zelensky dhe mund të çonte në rënien e qeverisë së tij.
“Kjo është arsyeja pse për momentin ‘askush nuk po flet për njohje ndërkombëtare formale’,” tha analisti Prof. Mark Galeotti për programin Today të BBC-së.
“Sot, po pranohet se për momentin Rusia kontrollon rreth 20% të Ukrainës, por kufijtë ndërkombëtarë mbeten ata që janë,” shtoi ai, duke theksuar se Zelensky mund të pranonte kontrollin de facto pa ndryshuar kushtetutën.
Në deklaratën e tyre, liderët evropianë thanë se “lufta e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës ka pasoja më të gjera për sigurinë evropiane dhe ndërkombëtare” dhe theksuan nevojën për një “paqë të drejtë dhe të qëndrueshme”.
Ata shtuan se Ukraina duhet të jetë e aftë të “mbrohet në mënyrë efektive” dhe u zotuan të vazhdojnë mbështetjen ushtarake për Kievin, i cili po “ushtron të drejtën e tij të natyrshme për vetëmbrojtje”.
“Bashkimi Evropian nënvizon të drejtën e natyrshme të Ukrainës për të zgjedhur vetë fatin e saj dhe do të vazhdojë ta mbështesë atë në rrugën drejt anëtarësimit në BE,” përfundon deklarata.
Megjithatë, uniteti i dukshëm i deklaratës u zbeh nga një shënim me shkronja të vogla në fund të faqes, ku theksohej se “Hungaria nuk e bashkon veten me këtë deklaratë”.
Në një postim në rrjetet sociale, Viktor Orban tha se nuk e kishte mbështetur deklaratën sepse ajo përpiqej të vendoste kushte për një takim ku BE-ja nuk ishte e ftuar, duke paralajmëruar liderët që të mos “japin udhëzime nga tribuna”.
Ai gjithashtu u bëri thirrje BE-së të organizojë një samit të vetin me Rusinë – megjithëse liderët evropianë kanë shmangur takimet e drejtpërdrejta me Moskën që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës në shkurt 2022.
Të hënën, Trump zbuloi se kishte kërkuar mendimin e Orbanit për shanset e fitores së Ukrainës ndaj Rusisë në fushën e betejës. “Ai më pa si për të thënë: ‘Çfarë pyetje e marrë’,” tha Trump, duke sugjeruar se Orban mendonte se Rusia do të vazhdonte luftën derisa të mposhtte kundërshtarin.
Trump dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin, pritet të takohen në Alaska të premten.
Para kësaj, liderët e BE-së do të zhvillojnë bisedime me Trump të mërkurën. Kryeministri britanik, Sir Keir Starmer, do t’i bashkohet gjithashtu thirrjes dhe tha të hënën se paqja duhet të “ndërtohet me Ukrainën, jo t’i imponohet asaj”.
Ata shpresojnë të vendosin sigurinë e kontinentit evropian dhe interesat e Ukrainës në qendër të vëmendjes së tij – në një kohë kur po shtohet frika se një paqe e imponuar Ukrainës mund të mos jetë as “e drejtë” dhe as “e qëndrueshme./Indeksonline/