75 Mall Live Search
17:28 / E Martë, 12 Gusht 2025 / BA

IKSHPK: Këtë vit u regjistruan 19 raste të reja me HIV/AIDS në Kosovë, një vdekje

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës tha se janë regjistruar 19 raste të reja me HIV/AIDS në vend gjatë këtij viti.

IKSHPK-ja tha se është regjistruar një rast i vdekjes si pasojë e AIDS-it, që është faza më e avancuar e infeksionit nga virusi HIV (Human Immunodeficiency Virus).

“19 raste të reja me HIV/AIDS (16 raste të gjinisë mashkullore, 3 raste të gjinisë femërore) 1 rast vdekjeje si pasojë e AIDS-it”, thuhet në njoftim.

Nga viti 1986 deri në vitin 2025, IKSHPK tha se janë regjistruar 234 raste dhe 53 vdekje në Kosovë si pasojë e HIV/AIDS-it.

Më tej, Instituiti i Shëndetit tregoi se çfarë duhet të dihet për këtë virus dhe si bartet ai.

“ Çfarë duhet të dini? HIV është virus që sulmon sistemin imunitar dhe, nëse nuk trajtohet, çon në AIDS – fazën më të rëndë të infeksionit. Nuk ka shërim, por me trajtim të rregullt, personat HIV pozitiv mund të jetojnë gjatë dhe shëndetshëm, si dhe të mos e bartin virusin tek të tjerët”.

“Si bartet HIV? – Marrëdhënie seksuale pa mbrojtje – Përdorim i përbashkët i shiringave/gjilpërave – Nga nëna tek fëmija gjatë shtatzënisë, lindjes ose gjidhënies. HIV nuk bartet përmes: përqafimit, shtrëngimit të dorës, ushqimit të përbashkët, ujit, ajrit apo pickimit të mushkonjave”.

Për ta parandaluar infektimin, IKSHPK tregoi edhe masat.

“ Parandalimi: – Përdorni kondom gjatë çdo kontakti seksual – Përdorni vetëm mjete sterile për injektim – Testohuni rregullisht në qendrat për këshillim dhe testim vullnetar (falas, anonim, konfidencial)  Qendrat për testim gjenden në: – Klinika Infektive QKUK – Qendra e Studentëve UP, Prishtinë – OJQ Labirinti (Prishtinë, Prizren, Gjilan) – CSGD Prishtinë”.