75 Mall Live Search
22:38 / E Martë, 12 Gusht 2025 / Burim

Një i vdekur e tetë të plagosur nga zjarret, evakuohen banorët e shtatë fshatrave në Gramsh

Disa fshatra të Bashkisë Gramsh janë nën pushtetin e tymit dhe flakëve që ngrihen deri në disa metra lartësi. Ministria e Mbrojtjes ka nisur evakuimin e banorëve nga fshatrat Kullollas, Bletëz, Menkollar, Shimër, Skënderbegas, Spanesh dhe Kazie, ku deri tani janë larguar rreth 200 persona.

Fshatrat Kullollas, Bletëz, Menkollar dhe Shimër janë djegur plotësisht dhe u evakuuan më herët. Në Kullollas ka humbur jetën një i moshuar rreth 80 vjeç, pasi dyshohet se zjarri që kishte ndezur në kopshtin e banesës i doli jashtë kontrollit, duke shkaktuar përhapjen e flakëve dhe asfiksimin e tij.

Në fshatin Bulçar, raportohet se një grua ka mbetur e bllokuar në fermë së bashku me dy fëmijët e saj dhe kërkon ndihmën e menjëhershme të autoriteteve.

Ndërhyrja e ambulancave dhe forcave zjarrfikëse është shumë e vështirë për shkak të terrenit malor dhe flakëve të fuqishme, që paraqesin rrezik të lartë për jetën e ekipeve të shpëtimit.