75 Mall Live Search
23:50 / E Premte, 15 Gusht 2025 / BA

KEDS paralajmëron shkyçjen: Bizneset pa marrëveshje, nesër mbesin pa rrymë

Nga nesër bizneset e mëdha që kanë kaluar në treg të lirë të energjisë elektrike e nuk kanë lidhur marrëveshje për furnizim, do të mbesin pa rrymë. Përfaqësues të bizneseve kanë shprehur shqetësime për dëmet që po u shkaktohen, teksa kanë kërkuar pezullimin e këtij vendimi të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.

Me gjithë rezistencën disamujore, kompania me mbi 2 mijë punëtorë e Ramiz Kelmendit sot u detyrua të nënshkruajë marrëveshje për furnizim me energji elektrike me operator privat. Nënshkrimi i marrëveshjes, sipas tij, u bë për t`i evituar dëmet. 

Me daljen në treg të lirë, Kelmendi thotë se parashihet që kompanisë t’i rriten trefish shpenzimet për energji elektrike. 
“Nëse kompania jonë ka shpenzu rreth 2 milionë në vitin 2024, tash duhet me pagu rreth 6 milionë. Pra është një rritje enorme që nuk mund të quhet treg i lirë”, tha Kelmendi. 

Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike ka deklaruar për transmetuesin publik se deri paraditen e së premtes, numri i bizneseve të mëdha që nuk kanë lidhur marrëveshje për furnizim sillej rreth 300. 

“Të shtunën dalin ekipet, duhet të organizohet edhe policia për këtë. Nuk ka orë të saktë se në sa do të fillojë shkyçja. Deri paradite janë më pak se 300 biznese të mëdha që nuk kanë lidhur marrëveshje. 6 furnizues janë duke lidhur kontrata me bizneset. Pezullim të vendimit nuk ka, nesër fillon shkyçja për atë që nuk ka marrëveshje. Nuk ka shtyrje të ekzekutimit të vendimit të Gjykatës”, kanë thënë nga Zyra e Rregullatorit për Energji. 

Mirëpo, rrezik për ekonominë e vendit po e konsiderojnë nga Presidenca e Kosovës daljen në treg të lirë, siç i kanë potencuar RTK-së, pa u siguruar infrastruktura e nevojshme. 

“I bëjmë thirrje ZRRE-së, që sa i përket këtij procesi jo mirë të dizajnuar, të hapë një cikël të plotë konsultimesh me të gjithë aktorët përkatës, duke garantuar kushte të barabarta, të qarta dhe të zbatueshme për të gjithë pjesëmarrësit në treg. Konsiderojmë se një hap i tillë do të ishte në të mirë të të gjithë procesit të liberalizimit të tregut të energjisë elektrike, duke siguruar që ky proces të arrijë efektet e parapara dhe të përmbushë objektivat e tij strategjikë”, ka deklaruar Bekim Kupina, këshilltar për media i Presidentes. 

Ngritje e çmimeve, largim i punëtorëve nga puna e mbyllje e disa bizneseve është paralajmëruar pas së shtunës.  Kushtrim Ahmeti nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë tha se për ta evituar daljen në treg të lirë, disa biznese të mëdha janë ndarë në disa pjesë për t’u regjistruar pastaj si biznese të reja. 

KEDS-i u ka bërë thirrje bizneseve që t`i kontaktojnë furnizuesit e licencuar nga ZRRE-ja për të siguruar vazhdimin me furnizim.