75 Mall Live Search
11:40 / E Diele, 17 Gusht 2025 / BA

Mbi një mijë e njëqind raste të regjistruara me kancer në Onkologji

Numri i rasteve të reja me kancer në Kosovë po rritet, ndërkohë që Klinika e Onkologjisë në QKUK po përballet me fluks të madh pacientësh çdo ditë. Vetëm gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti janë regjistruar rreth një mijë e njëqind raste, ndërsa kanceri më i përhapur në Kosovë mbetet ai i gjirit, me 235 raste të reja, shumica e të cilave tek gratë mbi moshën pesëdhjetë vjeç.

Drejtori i kësaj klinike, Ilir Kurtishi, ka dhënë një përmbledhje të situatës për gjashtëmujorin e parë të vitit 2025.

Kurtishi bëri të ditur për KosovaPress, se çdo ditë klinika trajton 250–300 pacientë në shërbimin e kimioterapisë dhe rreth 120–140 pacientë në shërbimin e radioterapisë.

Ai tha se Klinika e Onkologjisë nuk ka listë pritjeje për pacientët që kanë nevojë për trajtim të menjëhershëm, si për radioterapi, ashtu edhe për kimioterapi.

Kurtishi theksoi se gjatë këtij gjashtëmujori nuk ka pasur asnjë rast që është referuar për trajtim jashtë vendit. Kjo, falë teknikave të avancuara si IMRT dhe stereotaksia, të cilat kanë reduktuar ndjeshëm nevojën për trajtime jashtë Kosovës.

Për sa i përket barnave esenciale, Kurtishi tha se klinika është e furnizuar në 80% me to. Ai shtoi se pesë barna mungojnë për shkak të pengesave ligjore dhe procedurave të prokurimit, por barnat kryesore janë të disponueshme.

Pacientët duhet të sigurojnë vetë barnat që mungojnë në klinikë.

Ai përfundoi duke thënë se Klinika e Onkologjisë ka nevojë të vazhdueshme për rritjen e numrit të infermierëve, pasi aktualisht ka mungesë të tyre.