Pak zjarrfikës dhe pajisje të vjetruara në betejën kundër zjarreve

Valdet Fejza nga fshati Kçiq i Madh në Mitrovicë tregon se zjarri ia dogji një shtëpi të pabanuar. Ai tregon se shtëpinë e re nuk ia shpëtuan zjarrfikësit, por fqinjët, duke përdorur ujin nga pusi, lopata dhe mjete të tjera për shuarjen e zjarrit.
“Zjarrfikësit kanë ardhur krejt vonë, pjesën poshtë e kanë fikur, pjesën tjetër ne e kemi fikur vetë. Është mungesë e tyre. Ata e kanë kryer punën e tyre, por me dy cisterna, shuarja e zjarrit në gjithë këtë katund është punë e vështirë”, rrëfen Fejza për Radion Evropa e Lirë.
Për vetëm dy ditë, dhjetëra hektarë pyje, ara dhe prona u dogjën vetëm në fshatin Kçiq i Madh në Mitrovicë duke lënë pas tym, hi dhe tokë të nxirë.
Banorët u ankuan se shuarja e zjarreve ishte sfidë për shkak të mungesës së personelit të zjarrfikësve.

Historia e Fejzës është vetëm një nga shumë raste që tregojnë vështirësitë me të cilat përballen zjarrfikësit në Kosovë, sidomos javëve të fundit, kur qindra vatra zjarri kanë përfshirë vendin.
Në nivel vendi, Kosova i ka 734 zjarrfikës. Ky numër është i konsiderueshëm, por jo i mjaftueshëm, thotë shkurt Nexhat Behrami, zëvendësdrejtor i Departamentit të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit, në kuadër të Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave (AME).
Por, Muharrem Beka, kryetar i Sindikatës së Zjarrfikësve të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se ky numër është jashtëzakonisht i vogël dhe i pamjaftueshëm për t’u përballur me situata si kjo.
“Me këtë numër është sfidë edhe në kushte normale, e jo në situata me kaq shumë vatra zjarri. Në këto raste na duhen edhe dhjetë herë më shumë zjarrfikës. Falë qytetarëve vullnetarë po arrijmë ta menaxhojmë disi, por në komunat e vogla gjendja është edhe më e rëndë”, tha Beka.

Ai konsideron se Kosova ka mungesë edhe për 400 zjarrfikës.
Në bazë të rregullores për strukturën organizative të njësive profesionale të zjarrfikjes dhe shpëtimit, për çdo 1.500 banorë nevojitet së paku një zjarrfikës.
Kosova ka rreth 1.6 milion banorë dhe në bazë të kësaj llogaritjeje, vendi ka nevojë për 1.100 zjarrfikës për të plotësuar standardin.
Nevoja për investime
Beka shton se problemi thellohet edhe më shumë nga mosha mesatare e lartë e zjarrfikësve – rreth 50 vjeç – dhe nga automjetet e pajisjet e vjetruara me të cilat ata punojnë. Disa prej automjeteve, tregon ai, datojnë nga vitet ’80, ndërsa më të rejat janë të vitit 2015.
“Është urgjente që institucionet t’i harmonizojnë qëndrimet dhe të rrisin numrin e punëtorëve. Duhet të rritet buxheti për zjarrfikësit, për të përmirësuar në thelb këtë gjendje. Me pajisje të vjetruara nuk mund të funksionojmë”, thekson Beka.
Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave nuk tregoi për Radion Evropa e Lirë se cili është buxheti vjetor për këtë njësi. Por, në Ligjin për Buxhet të vitit 2025, janë paraparë 9.6 milionë euro për shërbimet publike, mbrojtje civile dhe emergjenca – ku bëjnë pjesë edhe zjarrfikësit.
Eksperti i emergjencave, Tahir Ahmeti, tha se që nga përfundimi i luftës, asnjë qeveri nuk ka investuar mjaftueshëm për zjarrfikësit, çka e vështirëson punën e tyre në terren.
“Në shumicën e komunave ekzistojnë pajisje të vjetruara, pastaj mjetet janë jashtë standardeve që kërkohen. E gjithë kjo e bën punën e vështirë të zjarrfikësve, të cilët janë gjithmonë të gatshëm të ndihmojnë për të shpëtuar jetën e qytetarëve dhe pronave të tyre”, tha ai.

Ahmeti, drejtor ekzekutiv në Qendrën Kërkimore për Politika të Sigurisë, vlerëson se investimet janë të domosdoshme, pasi çdo vit vendi po përballet me vatra zjarri, të cilat po shkaktojnë pasoja të mëdha, duke rrezikuar jetën e qytetarëve dhe duke ndotur ambientin.
Duke marrë parasysh mungesën e zjarrfikësve dhe dëmet e shkaktuara nga zjarret, Ahmeti thotë se qytetarët duhet të tregojnë më shumë kujdes, veçanërisht gjatë verës, kur temperaturat e larta rrisin rrezikun për shpërthimin e flakëve.
Kosova sivjet është përballur me temperatura të larta, madje në muajin korrik është regjistruar temperaturë rekorde – mbi 40 gradë Celsius.
Shumica e zjarreve shkaktohen nga pakujdesia ose veprimet e qëllimshme të njerëzve.
Institucionet, sipas Ahmetit, duhet t’i shtojnë fushatat vetëdijësuese, për t’ia kujtuar publikut se zjarrvënia përbën vepër penale.
Sipas Kodit Penal, zjarrvënia është vepër që dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet, ndërsa nëse shkakton djegie të banesës së banuar ose automjetit, dënimi shkon nga një deri në pesë vjet.
Kur dëmi arrin shifrën mbi 20 mijë euro ose shkakton lëndim të rëndë trupor, dënimi parashihet nga tre deri në dhjetë vjet burgim. E në rast të vdekjes, dënimi minimal është 10 vjet ose burgim i përjetshëm.
Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave ka bërë të ditur më 13 gusht se vetëm gjatë javës së fundit, në nivel vendi janë raportuar mbi 633 raste të zjarreve fushore dhe malore dhe 23 persona janë arrestuar nën dyshimin për zjarrvënie të qëllimshme.
Ministria e Bujqësisë nuk iu përgjigj Radios Evropa e Lirë, se sa hektarë pyje dhe tokë bujqësore janë përfshirë nga zjarri gjatë këtij viti.
Për shkak të temperaturave të larta, javëve të fundit zjarre masive kanë përfshirë edhe Shqipërinë, Malin e Zi dhe vende të tjera të Evropës.
Si pasojë e tyre kanë vdekur të paktën 24 njerëz dhe janë shkatërruar shumë shtëpi e objekte të tjera.