75 Mall Live Search
12:12 / E Hënë, 18 Gusht 2025 / LB

Kurti: Gjuha, themel për ruajtjen e inteligjencës njerëzore në epokën e IA-së

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në hapjen solemne të Seminarit Ndërkombëtar të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare, i cili po mbahet në amfiteatrin e Bibliotekës Qendrore Universitare, tha se kjo është një ngjarje më jetëgjatë në jetën kulturore të Kosovës. Në kushtet e zhvillimit të shpejtë të Intelegjencës Artificiale (IA) gjuha është themeli më solid i ruajtjes së intelgjencës, imagjinatës njerëzore.

Kurti, duke folur për raportin ndërmjet gjuhës dhe mendimit, tha se intimiteti i pazgjidhshëm mes tyre do të mbetet çështje e njerëzimit, pra edhe i formimit tonë kulturor. Sipas tij, vet kultura është një pazgjidhshmëri e kamotshme dhe  e përjetshme dhe se gjuhëtarëve u takon ta shtjellojnë këtë në të gjitha nëndisiplinat e tyre.

“Seminari i 43-të me radhë ka një rol të madh në llogaritjen e bazës që i shërben mendimit, madje edhe në kushtëzim të tij, sepse, siç e dimë, raporti midis mendimit e gjuhës, në njëfarë mënyre, i ngatërron mundësimin dhe kushtëzimin. Studimi gjuhësor përqendrohet në llogaritjen e racionalitetit të mënyrës së mirëfilltë të mendimit. Gjuha nuk është vetëm komunikim i nevojave, por edhe komunikim i subjektivitetit i kujtesës, i imagjinatës dhe i kulturës”, tha Kurti.

Ai shtoi se në kushtet e zhvillimit të shpejtë të IA-së gjuha është themeli më solid i ruajtjes së inteligjencës, imagjinatës njerëzore.

Kurti tutje theksoi se entuziazmi për gjuhën shqipe në kulturën, artin dhe shkencën tonë duhet të rritet, teksa në cilësinë e kryeministrit në detyrë shprehu gatishmërinë e mbështetjes së institucioneve të vendit që janë të lidhura me këtë qëllim fisnik e detyrë e historike.

Kurti më tej vuri në pah mbështetjen e studentëve të Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe përmes bursave në vlerë prej 1000 eurosh dhe  mbështetjes së stafit akademik.