Fillon rekrutimi i gjyqtarëve të rinj në futbollin kosovar

Sot ka filluar rekrutimi i gjyqtarëve të rinj në futbollin e Kosovës.
Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi.
“Gjyqtarët janë pjesë e pandashme e futbollit dhe roli i tyre garanton drejtësinë dhe rrjedhën e lojës. Prandaj, investimi në gjenerata të reja është investim në vetë të ardhmen e futbollit tone”, ka shkruar Ademi në Facebook.
“Në këtë drejtim, sot, së bashku me gjyqtarët elitarë dhe kryetarin e Shoqatës së Gjyqtarëve, Përparim Hasani, folëm për të ardhmen e ndarjes së drejtësisë në futbollin tone”.
“Ky takim njëherësh shënoi fillimin e një procesi shumë të rëndësishëm, rekrutimin e gjyqtarëve të rinj, të cilët do të jenë gjenerata e së ardhmes në futbollin vendor”.
Ademi shtoi se ky process lidhet direkt me “Be A Referee”, fushatë kjo e UEFA-s që inkurajon rininë të marrë zanatin e referimit.
“Me përvojën dhe dijen e tyre, gjyqtarët elitarë do të jenë udhërrëfyes, mentorë dhe mbikëqyrës të drejtpërdrejtë të zhvillimit të gjyqtarëve të rinj, duke i ndihmuar ata të rriten profesionalisht dhe të arrijnë standardet më të larta”.
“Këta mentorë do të vendosin edhe për avancimin e gjyqtarëve në kategori, në bazë të zhvillimit dhe performancës së tyre”.
“Ky proces lidhet drejtpërdrejt me fushatën e UEFA-s ‘Be A Referee’, e cila synon të motivojë dhe inkurajojë të rinjtë që të bëhen pjesë e referimit, duke qenë pjesë aktive e lojës më të bukur në botë”.