Sa fitojnë gjyqtarët në Kupën e Botës?
Edhe pse FIFA ende nuk ka publikuar tarifat zyrtare për gjyqtarët që do të angazhohen në Kupën e Botës 2026, të dhënat nga edicioni i fundit në Katar japin një pasqyrë të qartë për fitimet që mund të sigurohen në turneun më prestigjioz të futbollit.
Sipas shifrave të publikuara pas Botërorit 2022, çdo gjyqtar kryesor përfitoi një pagesë fikse prej 70 mijë dollarësh (rreth 64.500 euro) vetëm për pjesëmarrjen në turne, shkruan Indeksonline
Ndërkohë, gjyqtarët ndihmës morën një tarifë bazë prej 25 mijë dollarësh (rreth 23 mijë euro).
Përveç pagesës fikse, zyrtarët e ndeshjeve përfitonin edhe shpërblime shtesë për çdo ndeshje të arbitruar, çka bënte që të ardhurat totale të rriteshin ndjeshëm gjatë turneut.
Me Kupën e Botës 2026 që do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë, pritet që FIFA të publikojë në muajt e ardhshëm strukturën e re të pagesave për gjyqtarët, e cila mund të jetë edhe më e lartë se ajo e Katarit për shkak të zgjerimit të turneut në 48 kombëtare./Indeksonline/

