75 Mall Live Search
18:01 / E Mërkurë, 20 Gusht 2025 / S Z

U kërkuan para qytetarëve në emër të Nexhmi Krasniqit, reagon familja: Ky është një mashtrim, mos bini pre e telefonatave të rrejshme

Disa raste të mashtrimit janë raportuar në polici ditëve të fundit, ku persona të panjohur kanë kontaktuar qytetarë përmes telefonit, duke u prezantuar rrejshëm si zyrtarë policorë.

” Indeksonline” merr vesh se qytetarët të cilët po mashtrojnë qytetarët, po praqiten në emër të kolonelit të policisë Nexhmi Krasniqi, i cili ditë më parë është arrestuar, nën dyshimin për përfshirje në veprat penale të detyrimit dhe shmangies nga tatimi.

Përderisa kolonel Krasniqi gjendet prapa grilave, disa persona në emër të tij kanë kërkuar nga qytetarët që të paguajnë para me pretekste të ndryshme.

E lidhur me këtë ka reaguar dhe familja e Nexhmi Krasniqit.

Gruaja e tij Vera ka thënë për “Indeksonline”  se janë tejet të shqetësuar si familje me këtë që po ndodh. Ajo tha se disa persona e kanë telefonuar për t’i treguar se po bëhen mashtrime, ku po kërkohen para në emër të burrit të saj.

“Kemi dëgjuar nga shtatë -tetë persona së paku ditëve të fundit, që dikush me dy numra të Malit të Zi dhe Bosnes po  i thërrasin qytetarët në emër të Nexhit dhe po kërkojnë para.  Njërit prej qytetarëve të cilin e kanë telefonuar, i kanë thënë nëse mund të na dërgosh para në Western Union në Shqipëri. Në Gjakovë janë tre a katër raste, të cilat veç janë paraqitur në polici dhe në Prizren janë 4 raste. Ndërkaq sot një rast ka ndodhur dhe në Vushtrri rreth orës 10:00”, tha ajo.

Derisa thotë se kjo që po ndodh e ka shqetësuar tej mase familjen, kërkon nga qytetarët që të kenë kujdes dhe të mos bien pre e mashtrimeve, që po bëhen në emër të burrit të saj.

“Nëse iu thërret dikush në emër të Nexhit për ndonjë pagesë,  ky është një mashtrim. Mos bini pre e këtyre telefonatave dhe mashtrimeve që po ndodhin këto ditë. Familja kërkon që qytetarët të kenë kujdes. Nuk ka të bëjë absolut asgjë me familjen”, tha ajo.

Teksa thotë se janë të dëshpëruar me mënyrën se si iu arrestua burri javë më parë, ajo thotë se mashtrimiet që po ndodhin këto ditë në emër të tij, e kanë shqetësuar familjen.

“ Kjo na ka bërë të ndihemi keq si familje. Jemi të shqetësuar në gjendjen në të cilen jemi, pavarësisht qysh është situata me Nexhin. Dy orë mbas orarit të punës e kanë arrestuar pa dëshmi, ne jemi të dëshpëruar. Dhe tani këto telefonatat në emer të tij, nuk po kam qejf me iu perdor emri i burrit tim, aq më tepër që nuk kanë të bëjë fare me neve si familje”, thotë ajo.

Indeksonline ka siguruar po ashtu disa nga komunikimet e bëra përmes telefonit me qytetarët, të cilëve u është kërkuar para në emër të Nexhmi Krasniqit.