Zjarret masive në Klinë, kryetari Elezaj del në terren

Disa fshatra të Komunës së Klinës janë përfshirë nga zjarret, të cilat kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
Kryetari i komunës, Zenun Elezaj, ka reaguar për situatën, duke bërë të ditur se është në terren bashkë me drejtorin e DSHPE-së, Qendrim Millaku, dhe në koordinim të plotë me ekipet e zjarrfikësve.
“Zjarrfikësit po punojnë pa ndërprerje për të lokalizuar dhe vënë nën kontroll vatrat e zjarrit. Një falënderim i veçantë shkon për ekipet e Klinës, por edhe për ato të Pejës, Rahovecit dhe Gjakovës, të cilat kanë ardhur menjëherë në ndihmë dhe po japin kontribut të çmuar”, ka shkruar Elezaj.
Ai ka bërë apel tek qytetarët që të tregojnë kujdes maksimal dhe të mos ndezin hamullore apo mbeturina.
Kjo pasi sipas tij, rreziku për përhapjen e zjarreve mbetet i madh dhe mund të shkaktojë pasoja serioze për pronën dhe jetën e qytetarëve.
“Komuna e Klinës do të vazhdojë të jetë e angazhuar me të gjitha kapacitetet për të menaxhuar situatën dhe për të mbrojtur sigurinë e qytetarëve tanë”, ka shkruar Elezaj. /IndeksOnline/