Spitali i Pejës, drejt digjitalizimit të plotë e shërbimeve moderne

Spitali i Përgjithshëm në Pejë është në fazën përfundimtare të projektit të digjitalizimit të shërbimeve të Infermierisë, një hap i madh drejt modernizimit të kujdesit shëndetësor për pacientët tanë.
Ky projekt, i disenjuar dhe i detajuar nga zyra e teknologjisë informative e Spitalit të Pejës, iu prezantua disa organizatave ndërkombëtare. Si rezultat, organizata IHS (Integrated Health Services in Kosovo – projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim) ka ofruar mbështetje financiare, ku vetëm faza e parë e implementimit në Bllokun Internistik ka një kosto prej 150,000 €. Këto para vijnë nga kontributi bujar i Qeverisë se Zvicrës përmes projektit IHS qe është partneritet mes qeverive te Zvicrës dhe të Kosovës.
Aktualisht projekti është në fazën e instalimeve dhe pritet të përfundojë në fund të muajit shtator. Me këtë sistem, Spitali i Pejës bëhet i vetmi spital publik në rajon që ofron këto shërbime moderne, me përfitues kryesor pacientin.
Çdo shtrat i pacientit do të digjitalizohet, duke përfshirë:
Sistemin e thirrjes së motrave, ndriçimin dhe personalizimin e shtratit.
Pajisje smart (tableta) në dhomat e pacientëve me të dhëna për gjendjen shëndetësore dhe terapitë.
Matjen e kohës së reagimit të infermierëve nga momenti i thirrjes së pacientit.
Butonat e sigurisë për pacientët në rast rënies aksidentale.